Nga Callum Jones, Andrew Witherspoon dhe Aliya Uteuova – The Guardian
Shumica e amerikanëve ende nuk e kanë ndjerë këtë bum, por për të kanë dëgjuar shumë nga vetë presidenti. Që në minutat e para të mandatit të tij të dytë, duke hapur fjalimin e inaugurimit, Donald Trump ishte i prerë.
“Epoka e artë e Amerikës fillon që tani”, deklaroi ai.
Por në një pritje në Shtëpinë e Bardhë fundjavën e kaluar, pak më shumë se 10 muaj më vonë, presidenti amerikan dukej se pranonte se afati i premtuar ishte shtyrë ndjeshëm.
“Do të kemi… Unë them se është epoka e artë e Amerikës. Po vjen një epokë si asnjëherë më parë për këtë vend. Dhe mezi pres rezultatet. Do t’i shihni rezultatet pas gjashtë muajsh deri në një vit”, u shpreh Trump.
Ekonomia amerikane është përballur me vështirësi gjatë vitit 2025. Epoka e artë nuk u materializua menjëherë, siç kishte pretenduar Trump pas rikthimit të tij në pushtet në janar.
Në dy fushat ku presidenti premtoi përmirësime të shpejta, punësimi dhe çmimet, rezultatet deri tani kanë qenë zhgënjyese. Tregu i punës e nisi vitin relativisht i qëndrueshëm. Edhe pse ishte ngadalësuar, në vitin 2024 ekonomia amerikane shtonte mesatarisht 168 mijë vende pune në muaj.
Gjatë fjalimit të përbashkët para Kongresit në mars, Trump deklaroi se kishte trashëguar një “katastrofë ekonomike” nga administrata e Joe Biden dhe u zotua se do të krijonte vende pune “si kurrë më parë”.
“Epoka e artë” që nuk po vjen
Në realitet, rritja e punësimit ka ngecur në vitin 2025. Sipas të dhënave zyrtare për 11 muajt e parë të vitit, janë shtuar mesatarisht vetëm 55 mijë vende pune në muaj, një rënie prej 67% krahasuar me vitin 2024. Papunësia, e cila gjatë vitit të fundit të presidencës Biden luhatej mes 3.9% dhe 4.2%, është rritur nën drejtimin e Trump në 4.6% në nëntor, niveli më i lartë në më shumë se katër vite.
Gjatë fushatës elektorale, Trump premtoi një “industrializim të ri amerikan”, duke e kthyer SHBA-të në një “superfuqi prodhuese” dhe duke ringjallur vendet e punës në fabrika. Por në praktikë, punësimi në sektorin e prodhimit nuk është rritur këtë vit. Ekonomia ka shtuar vende pune në fabrika vetëm në dy nga dhjetë muajt pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas administratës, realizimi i këtij vizioni kërkon forcimin e politikës kryesore ekonomike të Trump: Tarifat doganore.
Presidenti ka rritur normën mesatare efektive të tarifave amerikane nga 2.4% në 16.8%, niveli më i lartë që nga viti 1935, sipas analizës së Budget Lab në Universitetin Yale.
Zbatimi i tarifave të reja ka qenë i çrregullt, me afate të paqarta, shtyrje dhe ndryshime të shpeshta. Procesi ka qenë “më i dhimbshëm nga sa prisja”, pranoi shefja e kabinetit të Trump, Susie Wiles, për Vanity Fair.
“Askush nuk e beson çfarë po ndodh”
Ekonomistët kanë paralajmëruar vazhdimisht për ndikimin e mundshëm negativ të tarifave te miliona amerikanë. Kostot e tarifave mbi mallrat e importuara shpesh transferohen te konsumatorët, duke rritur çmimet në dyqane.
Zyrtarët e Rezervës Federale kanë debatuar për muaj me radhë nëse tarifat e Trump do të shkaktojnë një rritje të përkohshme të çmimeve apo një presion afatgjatë inflacioni. Inflacioni kishte arritur nivelet më të larta në dekada në vitin 2022, si pasojë e pandemisë, por gjatë vitit 2024 dhe fillimit të 2025 ishte në rënie.
Megjithatë, Trump ka këmbëngulur se trashëgoi një “makth inflacioni” nga Biden. Në një fjalim televiziv këtë javë, ai deklaroi: “Po i ulim çmimet e larta dhe po i ulim shumë shpejt”.
Në realitet, inflacioni ka mbetur i qëndrueshëm që nga pranvera. Në nëntor, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 2.7% në baza vjetore, sipas të dhënave zyrtare.
Trump ka mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për inflacionin dhe ka quajtur shqetësimet për çmimet “një mashtrim”. I pyetur nga Politico se çfarë note i jepte vetes për ekonominë, ai u përgjigj: “A-plus-plus-plus-plus-plus”.
Në të njëjtin fjalim televiziv, presidenti këmbënguli se po “zgjidhte” problemin e çmimeve të ushqimeve, duke pretenduar se çmimet e gjelit të detit dhe vezëve kishin rënë ndjeshëm.
“Gjithçka tjetër po bie me shpejtësi”, tha ai. “Nuk ka mbaruar ende, por po bëjmë përparim të jashtëzakonshëm. Askush nuk e beson çfarë po ndodh”.
“Vështirë të shihet si 2026-a do të jetë më mirë”
Ka shenja se administrata po përpiqet të zbusë presionin mbi ekonominë. Muajin e kaluar, Trump uli tarifat për disa importe, përfshirë mishin e viçit, domatet, kafenë dhe bananet. Gjithashtu, u shpall një paketë ndihme prej 12 miliardë dollarësh për fermerët dhe është diskutuar mundësia e çeqeve stimuluese për qytetarët.
Në një miting në Pensilvani, Trump u shfaq para një pankarte të madhe ku shkruhej: “Çmime më të ulëta, paga më të mëdha”. Sipas Axios, presidenti dhe ekipi i tij besojnë fort se ekonomia do të përshpejtohet ndjeshëm në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo pritshmëri lidhet me ndikimin e ligjit të madh fiskal të Trump, i cili pritet të rrisë të ardhurat familjare dhe investimet.
Por ekonomistët mbeten skeptikë.
“Shumica e amerikanëve me të ardhura të ulëta do të dëmtohen nga këto politika”, tha Simon Johnson, fitues i Çmimit Nobel dhe profesor në MIT. “Është e vështirë të shihet se si viti 2026 do të jetë më i mirë për shumicën e njerëzve”.
Ekonomia amerikane parashikohet të rritet me 2% këtë vit, nga 2.8% në 2024. Edhe për vitin e ardhshëm, pritshmëritë janë të moderuara.
Trump, megjithatë, mbetet optimist. “Jemi gati për një bum ekonomik siç nuk e ka parë kurrë bota”, deklaroi ai këtë javë.
Shumica e amerikanëve ende nuk e kanë parë këtë bum. Por për të kanë dëgjuar shumë.