Seriali online Rama-Fevziu, një aktrim i dobët për të sfumuar vëmendjen nga skandalet!

10 Janar 2026, 16:00Pikëpamje SHKRUAR NGA VOX NEWS
Blendi Fevziu dhe Edi Rama

Erioni* me shumë mundësi s’e ka pasur mundësinë të shikojë dhe lexojë postimet dhe kundër postimet e Edi Ramës dhe Blendi Feviziu. Ai jeton në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku është munduar me mish e me shpirt që të sigurojë një strehë për fëmijët, pas orëve e orëve të vështira nën pushtetin e ujit. Ka parë që, në disa ditë, të rrënohet fizikisht, emocionalisht apo edhe financiarisht për ndodhinë, teksa tashmë e vetmja dritare shpëtimi janë “qindarkat” e shtetit, për t’i kompensuar orenditë shtëpiake.

Ashtu si Erioni*, as Artani* apo Albani* që jetojnë në Laç, apo edhe mijëra të tjerë anembanë Shqipërisë, e kanë pasur “kokën” të sigurojnë ushqim, strehë dhe veshëmbathje për fëmijët e mitur, pasi krerët e shtetit e kanë mendjen të dalin në foto e video kur i vizitojnë, apo edhe kryeministrin që ka kohë që të replikojë me një gazetar. Ndërkohë, mendime të tjera kanë qindra të prekur nga zjarri te “5 Maji”, të cilët s’kanë pasur kohë e mund që të shikonin dhe lexonin këtë replikë të kryeministrit të tyre, pasi tashmë ata bluajnë në kokë se si të ringrihen, pa asnjë ndihmë nga shteti.

Megjithatë, një pjesë e administratës shtetërore, kryesisht e aparatit qendror në Tiranë, po shohin dhe po i bëjnë jehonë këtij debati shterpë, të cilin e shohin si një “mundësi shpëtimi” nga gjithë këto skandale. Janë të njëjtët zyrtarë që kanë firmosur leje për investitorët strategjikë, leje për tjetërsimin e pronës publike, ata që kanë dhënë tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe ata që kanë futur duart thellë në xhepat e shqiptarëve.

Seriali online Rama – Fevziu po u shërben edhe qindra punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, të cilët tashmë në prime-time në televizione, emisione apo edhe lajme, do të shohin dhe lexojnë jo për vjedhjet qindra milionë euro, por çfarë i tha Rama gazetarit Fevziu dhe si ia ktheu Fevziu. Do të lexojnë dhe admirojnë mënyrën e të shkruarit të kryeministrit dhe do të shohin se gazetari i ka përgjigjet shabllon dhe s’e ka atë stil shkrimi si shefi i tyre.

Ndërkohë, do të fërkojnë duart dhe zgurdullojnë sytë dhjetëra pronarë të firmave të mëdha, nga ato të përmendura në dosjet e SPAK-ut, të cilët në bashkëpunim me zyrtarët e lartë shtetërore zbrazën arkën e shtetit, që s’do të jenë në vëmendjen e opinionit publik.

Një debat që i shërben më shumë të gjithë atyre që kanë bërë zullume, kryesisht njerëzve që drejtojnë institucione qendrore apo lokale, ata që kanë firmosur koncesione, leje e gjithçka tjetër, made edhe të pandehurve të SPAK-ut, të cilët po shohin këto ditë një “telenovelë” dhe jo detaje nga dosjet e tyre.

Madje, Rama vs Fevziu u shërben edhe deputetëve, kryesisht atyre të Këshillit të Mandateve, të cilët kanë në dorë një dosje voluminoze të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Thirrjet e PD-së apo partive të vogla për shpejtimin e heqjes së imunitetit tashmë s’do të kenë të njëjtën interes mediatik, pasi do të admirojnë leksikun kryeministrit dhe përgjigjen e Fevziut. Java e ardhshme do të jetë “zjarr” nga këto debate, fillimisht me deklarata në distancë dhe, kur interesi të zbehet, do të vijë edhe momenti i shumëpritur, një përballje në studio e Ramës me Fevziun.

Megjithatë, problemi i Erionit*, Artanit* dhe Albanit* deri në javën tjetër, apo në muajt në vijim, me shumë mundësi s’do të jetë zgjidhur. Ata do enden në duart e institucioneve burokratë të bëjnë letrat e lëmoshës, por pikërisht në këto dyer do të përballen me shtetarët, që më shumë do e kenë mendjen te debati Rama–Fevziu sesa te firmosja e dëmshpërblimit./Redaksionale

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video