Al Capones do t’i pëlqente rendi i sotëm botëror

6 Gusht 2026, 18:18Pikëpamje SHKRUAR NGA THE ECONOMIST

Në një epokën gangsterësh, OKB-ja po kërkon një udhëheqës të ri

Nga The Economist

Pse ekzistojnë ende Kombet e Bashkuara? Kjo pyetje është më aktuale se kurrë, në një kohë kur ka nisur gara për zgjedhjen e sekretarit të ri të përgjithshëm, i cili do të zëvendësojë António Guterres-in në fund të këtij viti.

Kushdo që do ta marrë këtë detyrë, do ta gjejë veten përballë një bote që i ngjan gjithnjë e më shumë asaj të bandave kriminale. Donald Trump dhe Vladimir Putin, flasin shpesh si bosë mafiozë, duke kërcënuar vendet që nuk tregojnë respekt ose nuk u binden kërkesave të tyre.

Shantazhi është shndërruar në një instrument të politikës së jashtme, ndërsa kontrolli i rrugëve tregtare dhe i burimeve strategjike është kthyer në një armë presioni.

Kur Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit për të fituar lëshime politike, ose kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina përdorin kontrollin mbi teknologjitë e përparuara për të fituar luftërat tregtare, logjika është e njëjtë: kontrolli i burimeve shndërrohet në mjet për të imponuar vullnetin politik.

Pikërisht këtu qëndron edhe problemi i madh i OKB-së. Fuqitë më të mëdha të botës – Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina – gëzojnë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Kjo u jep atyre mundësinë jo vetëm të bllokojnë vendime të rëndësishme, por edhe të ndikojnë drejtpërdrejt në përzgjedhjen e drejtuesit të organizatës.

Shumica e vendeve anëtare do të donin një Sekretar të Përgjithshëm që të mbronte parimet e Kartës së OKB-së, të kundërshtonte luftërat pushtuese dhe të mbronte të drejtat e njeriut.

Megjithatë, askush nuk mund të arrijë në krye të organizatës pa miratimin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Administrata amerikane nuk pranon kritika për politikat e saj, Rusia nuk dëshiron të dëgjojë dënime për pushtimin e Ukrainës, ndërsa Kina pret që të trajtohet si motori kryesor i zhvillimit ekonomik botëror dhe jo si objekt kritikash.

Për këtë arsye, Sekretari i ardhshëm i përgjithshëm do të detyrohet të bashkëpunojë me këto fuqi, pa u shndërruar në një instrument të tyre. Ekspertët bëjnë një dallim të qartë mes një diplomati që di të lundrojë mes interesave të mëdha dhe një burokrati që thjesht zbaton urdhrat e tyre.

Sipas traditës jozyrtare, këtë herë radha i takon Amerikës Latine. Një nga kandidatet më të njohura është ish-presidentja e Kilit, Michelle Bachelet, por shanset e saj duken të pakta. Më shumë vëmendje kanë tërhequr Rebeca Grynspan nga Kosta Rika dhe Rafael Grossi nga Argjentina.

Grynspan kujton rolin e saj në marrëveshjen e vitit 2022 për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, ndërsa Grossi përmend përpjekjet për të garantuar sigurinë e centralit bërthamor të Zaporizhias, në Ukrainë.

Megjithatë, pavarësisht mangësive të saj, OKB-ja mbetet një nga institucionet e pakta ku përfaqësuesit e Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit vazhdojnë të ulen në të njëjtën tryezë.

Organizata nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet, por mund të ndërmjetësojë armëpushime, të krijojë marrëveshje dhe të japë legjitimitet ndërkombëtar.

Historia jep një paralajmërim të qartë. Pas viteve të përgjakshme të luftërave mes bandave kriminale, Al Capone deklaroi se meritonte vlerësime për paqen që kishte vendosur në Çikago.

Por një paqe e ndërtuar mbi frikën dhe forcën do të ishte tepër e kushtueshme për Ukrainën, Gazën ose çdo vend tjetër.

Në një botë ku ligji i më të fortit po fiton terren, misioni i OKB-së mbetet i pandryshuar: t’i bindë të fuqishmit të veprojnë me përgjegjësi, edhe atëherë kur askush nuk ka fuqinë t’i detyrojë ta bëjnë këtë.


Video