Zjarri merr përmasa të frikshme në Mallakastër, Çako kërkon masa për evakuimin e banorëve

16 August 2024, 21:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zjarri merr përmasa të frikshme në Mallakastër, Çako
Zjarri merr përmasa të frikshme në Mallakastër

Zjarri masiv që ka përfshirë fshatin Çerrilë të Mallakastrës, deri më tani ka shkrumbuar mbi 20 hektarë pyll me pisha, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Zjarri ka që në mbrëmjen e djeshme që është aktivizuar, ndërsa janë përfshirë nga flakët katër banesa, një prej tyre e pabanueshme, por që fatmirësisht nuk ka patur probleme në shëndetin e banorëve.

Flakët po ashtu kanë djegur mbi 1 mijë rrënjë ullinj.

Për shkak të situatës së rënduar, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile Haki Çako ka urdhëruar që, nëse është e nevojshme, të ndërmerren masa për evakuimin e banorëve të zonës.

Sipas kryebashkiakut Qerim Ismailaj po luftohet me flakët por zjarri ndihmohet nga era e fortë që fryn në këtë zonë. Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, ndërsa për në bagëti ende nuk ka të dhëna ekzakte.

Zjarri vijon prej mbrëmjes së djeshme, ndërsa aksioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet si nga toka ashtu edhe nga ajri.

Në vendngjarje ndodhen mjete të shumta zjarrfikëse, si dhe forca të policisë dhe ushtrisë.

Ndërkohë 29 vatra zjarri janë regjistruar në të gjithë vendin në 24 orët e fundit.

Në një dalje për mediat kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend ku ndër të tjera tha se 14 vatra janë ende aktive.

 


Video