Zbulohet si iranianët e "Homeland Justice" hakuan faqen e parlamentit shqiptar dhe disa kompani të tjera

8 January 2024, 21:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zbulohet si iranianët e "Homeland Justice" hakuan faqen e
Foto ilustruese

Gjatë valës së sulmeve ndaj institucioneve shqiptare në fillim të dhjetorit, hakerët e lidhur me Iranin përdorën “malware” për fshirjen e të dhënave që studiuesit e quajnë “No-Justice”.

Sulmet, që i atribuohen “Homeland Justice”, kishin në shënjestër parlamentin shqiptar, dy kompani lokale të telekomit (ONE Albania dhe Eagle Mobile) dhe transportuesin ajror të Shqipërisë (Air Albania).

Hakerët pretenduan se kishin vjedhur të dhëna nga sistemet, por ky pretendim nuk është konfirmuar ende.

Studiuesit në firmën e sigurisë kibernetike me bazë në Izrael ClearSky identifikuan dy mjete kryesore të përdorura në këtë fushatë: No-Justice, i cili mund të prishë sistemin operativ Windows të shënjestruar “në një mënyrë që ai të mos mund të rindizet” dhe një skript PowerShell i krijuar “për të kopjuar dhe përhapeur fshirësin e të dhënave në pajisje të tjera në rrjetin organizativ përpara aktivizimit të tij”.

“No-Justice” kishte një nënshkrim dixhital të vlefshëm për t'u dukur legjitim dhe kërkonte privilegje administratori për të fshirë të dhënat nga kompjuteri i viktimës, thanë studiuesit.

Hakerët ka të ngjarë të kenë përdorur mjete të disponueshme publikisht për sulmin, duke përfshirë një grup shërbimesh softuerësh të komunikimit në rrjet të quajtur Plink; një mjet i quajtur RevSocks, i përdorur për nxjerrjen e të dhënave, komandimin dhe kontrollin, ose ruajtjen e aksesit të vazhdueshëm në një rrjet të komprometuar; dhe kompleti i burimeve Windows 2000, i cili mund të përdoret për zbulim dhe akses të vazhdueshëm në distancë.

Shkalla e dëmit nuk është ende e qartë. Më herët në dhjetor, u raportua se gjatë sulmit në parlament, hakerët u përpoqën të ndërhynin në infrastrukturë dhe të fshinin të dhënat, por nuk kishin sukses.

ClearSky vlerëson se operacionet e Homeland Justice mund të kërcënojnë vende të tjera.

Sulmet e fundit ndaj Shqipërisë ishin një hakmarrje e mundshme ndaj qeverisë shqiptare që strehoi anëtarët e grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq, ose MEK, në qarkun e Durrësit.

Sipas raportit të ClearSky, sulmi në parlamentin shqiptar pasoi publikimin e një imazhi që tregonte anëtarët e parlamentit shqiptar së bashku me Mariam Rajavi, presidente e MEK.

“Homeland Justice” nisi fushatën e saj të parë kundër Shqipërisë korrikun e kaluar, duke synuar sistemet e qeverisjes elektronike të vendit pikërisht përpara konferencës së planifikuar të MEK-ut. Konferenca u anulua pas sulmit.

Në shtator, Shqipëria raportoi se hakerat e lidhur me qeverinë e Iranit synonin sistemet kompjuterike të përdorura nga policia kombëtare për të gjurmuar individët që hynin dhe dilnin nga vendi. Sulmi bëri që autoritetet të mbyllnin sistemet e kontrollit kompjuterik në pikat kufitare dhe aeroportet.

Studiuesit e përshkruan “Homeland Justice” si një “grup operacioni psikologjik iranian” që ka të ngjarë të sponsorizohet nga shteti.


Video