
Policia në Krujë ka zbuluar një tjetër shtëpi bari si pasojë e një operacioni të quajtur “Vijimi”. Në pranga ka rënë një person me iniciale H.H, vëllai i pronarit të shtëpisë. Sipas asaj që ka njoftuar policia, ky person kishte në ruajtje ambientet ku kultivoheshin bimë narkotike.
Nga hetimet rezulton se i arrestuari, në bashkëpunim me 3 persona të tjerë kanë përshtatur 4 ambiente brenda banesës për veprimtari kriminale. Nga ajo që bën të ditur policia, rezulton se 3 personat në fjalë janë aktualisht të shpallur në kërkim falë operacionit “Derveni” të zhvilluar 2 ditë më parë ku u gjet një tjetër shtëpi bari.
Qerim Xeka dhe dy djemtë e tij, Kledi dhe Lutfiu, kishin kthyer një godinë – katëshe në shtëpi bari dhe kultivonin kanabis përmes llambave. Ata e kishin marrë shtëpinë në përdorim nga një i afërm i tyre i cili jeton në Greqi.
Në oborrin e banesës policia bllokoi dhe një furgon brenda së cilit u gjetën pajisje të shumta elektrike, që dyshohet se do përdoreshin për përshtatjen e ambienteve të tjera të shtëpisë për kultivim.
Policia vijon punën për arrestimin e tyre.