Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Drejtoreshës së Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, Viola Sterjo, e cila ka mashtruar disa qytetarë duke ju premtuar grante nga AZHBR në këmbim të një ryshfeti mijëra eurosh.
Më konrektisht, janë zbardhur 4 denoncime ndaj saj, nga qytetarë nga Korça dhe Pogradeci.
Në 12 dhjetor 2022 në prokurorinë e Korçës ka bërë kallëzim një qytetar nga Korca i cili kishte një pronë në Voskopojë dhe në të donte të ndërtonte një hotel. Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, punonjesë e AKSH-it në atë kohë, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant. Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë.
Një qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë Viola Sterjos shuma të ndryshme, 9 mijë euro si fillim dhe më pas 28 mijë euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1.2 milion euro për të ndërtuar një bujtine.
Referuar sërish dosjes hetimore, një tjetër qytetar nga Korça i ka dhënë Sterjos 160.000 euro pasi ajo i ka premtuar një grant prej 2.2 milion euro. Pas disa muajsh denoncuesi i cili nuk e kishte përfituar grantin i ka kërkuar Sterjos t'ia kthente shumën e lekeve. Por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milionë euro do të shkonte në 4.5 milionë euro.
Një tjetër qytetari nga Korça i cili së bashku me dy ortakë do ndërtonte një resort në Voskopojë, Sterjo i ka marrë 90 mijë euro, duke e mashtruar se kishte bërë aplikim tek AZHBR për ndërtimin e resortit me vlerë 2 milion euro.
Nga shuma prej 90 mijë euro, Sterjo i ka kthyer denoncuesit 20 mijë euro, pasi ky i fundit ishte informuar se në emër të tij nuk ishte bërë asnjë aplikim për të përfituar financim. Me kontratë noteriale Sterjo i njihte detyrimin prej 90 mijë euro dhe nese nuk ja kthente brenda 6 muajsh do t'i linte si garanci banesën e vjehrrit të saj.
Viola Sterjo u ndalua me vendim gjykate që e la në masën arrest në burg për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.