Ambasodorja e ShBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco.
Lajmin e ka bërë me dije vetë shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri, Yuri Kim përmes një postimi në rrjetet sociale. Mësohet se dy diplomatët kanë diskutuar rreth angazhimit të përbashkët për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Sipas Yuri Kim, ata inkurajojnë Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta.
"Takova sot ambasadorin e OSBE-së, Vincenzo Del Monaco për të diskutuar angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme, reformën në drejtësi dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne inkurajojmë Shqipërinë që të mundësojë votën e diasporës sa më shpejt që të jetë e mundur, siç e kërkon Kushtetuta. SHBA është e kënaqur të mbështesë përpjekjet e OSBE-së për të forcuar institucionet dhe proceset gjyqësore, duke përfshirë zhvillimin e programit të ri të masterit në kriminologji." shruan Yuri Kim.