Policia ka dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Thumanë-Krujë, ku u vra 57-vjeçari i Petrit Ndou.
Në pranga ka rënë shtetasi Andri Vokrri, 28 vjeç, por gjithashtu dhe dy persona të tjerë, Lorenc Goga, 26 vjeç dhe Fation Kulla, 23 vjeç, pasi kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit të ndodhur mes autorit dhe viktimës, por nuk kanë raportuar për krimin.
Në dëshminë e tij të dhënë në polici, i riu tha se “nuk donte ta vriste dhe se situata i doli jashtë kontrollit.
Sipas njoftimit të uniformave blu, rreth orës 01:00, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, tre të rinjtë po qarkullonin në një automjet, e më pas janë konfliktuar verbalisht me shtetasin Petrit Ndou, ky i fundit i cili po udhëtonte me makinën e tij. Nga konflikti, 28-vjeçari e ka goditur Ndoun me çekiç në kokë, gjë që shkaktoi vdekjen e 57-vjeçarit.
Dy shoqëruesit e tjerë të autorit janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Sakaq, janë sekuestruar dy makinat si dhe çekiçi që është përdorur për vrasjen e 57-vjeçarit.
Autori i dyshuar u arrestua për veprën penale “Vrasja me dashje”, ndërsa dy të rinjtë e tjerë për “Moskallëzimi i krimit”.