“Bar Lulishtja” godina historike në qytetin e Sarandës, u shkrumbua mëngjesin e kësaj të premteje nga flakët.
Zjarri ra rreth orës 10:00 të mëngjesit, ku konstruksioni prej druri i çatisë bëri që flakët të përhapeshin me shpejtësi duke rrezikuar edhe subjektet për rreth.
Një godinë me biznese dhe një bar u prekën nga zjarri në një pjesë të tyre.
Në një intervistë, studiuesi Auron Tare, i cili u gjend rastësisht aty, dëshmitar i shkatërrimit të këtij ‘xhevahiri’ historik dhe pa me keqardhje të gjithë skenën thotë se gjithçka ishte e qëllishme.
E njohur si “Bar Lulishtja” gjatë periudhës së komunizmit dhe deri në ditët e sotme, godina në pronësi të bashkisë Sarandë, ka shërbyer në vitet 1920-1930 si Agjensia Konsullore Italiane.
Godina kishte si status marrëdhëniet konsullore dhe diplomatike me Italinë me juridiksion Jugun e Shqipërisë.
Ishte e vendosur në Sarandë për shkak të portit dhe marrëdhënieve tregtare të qytetit, por dhe të gjithë zonës së jugut.
Konsullata e Sarandës varej nga Legata Italiane e Durrësit, e cila u mbyll me fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Policia e Sarandës po heton ngjarjen, ndërsa dyshimet e para janë për një zjarrvënie të qëllimshme.