Gazetari Adriatik Doçi ka komentuar me nota ironie rastin e vjedhjes së shtëpisë së shtetases Alda Klosi, që ka mbajtur postin e shefes së kabinetit të ish zv-Kryeministrit, Arben Ahmetaj.
Gazetari kritikon heshtjen e opozitës dhe të disa mediave për këtë rast vetëm që mos të përmendin emrin Arben Ahmetajt, që sipas gazetarit, perceptohet si “politikani i dytë më i korruptuar në Shqipëri, pas mentorit të tij, Ilir Meta”.
Doçi shton me ironi se “që kur u zbulua dora e Arben Ahmetajt në paratë e inceneratorëve, Ilir Meta, opozita në tërësi dhe disa media janë gati t'i shpallin inceneratorët një histori suksesi”.
“Vjedhja e parave të dyshimta të zyrtarëve me hije korrupsioni është njëfarë ngushëllimi në vend të ndëshkimit të munguar ligjor.
Në fund të fundit, taksat tona më mirë t'i gëzojë një pastruese, një shofer etj., se sa një pushtetar.
Ndërkaq, më e rëndë se sa mungesa e veprimit të drejtësisë është heshtja e mjerueshme e opozitës së blerë dhe e disa mediave, vetëm për të mos përmendur emrin e Arben Ahmetajt, i cili perceptohet si politikani i dytë më i korruptuar në Shqipëri, pas mentorit të tij, Ilir Meta.
Ka momente kur njeriu duhet të zgjedhë mes fytyrës së tij dhe eurove, mes moralit dhe hajnisë.
Që kur u zbulua dora e Arben Ahmetajt në paratë e inceneratorëve, Ilir Meta, opozita në tërësi dhe disa media janë gati t'i shpallin inceneratorët një histori suksesi!”, shkruan gazetari Adriatik Doçi në Facebook.