
Vëllezërit Alban dhe Olsi Eftimi janë thirrur në ambientet e SPAK-ut, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e Belinda Balluku.
Mësohet se dy vëllezërit po japin shpjegime para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Paraqitja e tyre në SPAK vjen në kuadër të veprimeve hetimore që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme për zbardhjen e rrethanave të çështjes së vilës në Palasë të Belinda Ballukut.
Alban dhe Olsi Eftimi, janë dy drejtuesit e studios së arkitekturës “Atelier 4”.
Emri i studios “Atelier 4” është shfaqur në dosjen hetimore që lidhet me vilën luksoze nr. 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, pronë e sekuestruar nga SPAK dhe për të cilën hetuesit dyshojnë se zotërohej faktikisht nga Balluku dhe ishte përfituar si ryshfet.
Në një email të shtatorit 2020, Alban Eftimi i dërgonte ish-zv.kryeministres një rishikim të projektit dhe i përshkruante në detaje arredimin e pronës, nga pishina “infinity” dhe vaskat hidromasazhi deri te përdorimi i drurit “teak” dhe mermerit. Një tjetër email përmbante planimetritë dhe projektet e dy vilave.
Sipas SPAK, vila deri në fazën e karabinasë ishte financuar nga ish-futbollisti Igli Tare, ndërsa punimet e mëtejshme dhe pishina dyshohet se u financuan nga biznesmeni Arbër Abazi, administrator i “Alko Impex General Construction”.
Në dokumentet e sekuestruara në kompjuterët e “Atelier 4” rezultojnë, sipas raportimeve mbi dosjen, pagesa të kompanisë së Abazit në vlera nga 288 mijë deri në 410 mijë euro.
“Alko Impex General Construction” kishte përfituar kontrata publike në infrastrukturë, ndërsa SPAK po heton nëse financimi i punimeve në vilë lidhej me favorizime të dyshuara në tendera. Këto janë dyshime të organit të akuzës dhe jo përfundime të formës së prerë.
Kontrollet në ambientet e “Atelier 4” ishin kryer më herët nga hetuesit e SPAK, të cilët sekuestruan dokumente dhe materiale për t'i ballafaquar me provat e tjera të administruara gjatë hetimit. Alban Eftimi ishte paraqitur edhe më 3 shtator në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime lidhur me dosjen.