VIDEO+EMRI/ Trafik armësh edhe në Korçë, i kalonin drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër, kapen në flagrancë

5 October 2022, 16:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VIDEO+EMRI/ Trafik armësh edhe në Korçë, i kalonin drejt
Pamjet e aksionit

Policia e Korçës ka ekzekutuar natën e kaluar operacionin e koduar “Fajanca”, pas një hetimi 1-mujor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të armëve të zjarrit dhe të mbajtjes së tyre pa leje.

Si rezultat, ka arrestuar një 18-vjeçar, të cilit i janë gjetur armët brenda automjetit tip “Mercedes-Benz”, dhe dushohet se do i kalonte drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër.

Në pranga është vënë shtetasi Oresti Spaho, banues në Korçë, i cili akuzohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

"Në bazë të informacioneve të siguruara gjatë periudhës hetimore, se disa shtetas po tentonin të trafikonin armë zjarri nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe në lagjen nr. 10, Korçë, lokalizuan automjetin tip “Mercedes-Benz”, me të cilin dyshohet se do të transportoheshin armë zjarri. Punonjësit e Policisë i kanë bërë me shenjë shtetasit Oresti Spaho, që të ndalonte automjetin, por ai nuk iu është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por është kapur dhe ndaluar menjëherë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën 1 armë zjarri pushkë automatike, municion luftarak dhe 2 fitila zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin." thuhet në njoftimin e bluve të Korçës.

Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuuar si të implikuar në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për hetime të mëtejshme.


Video