VIDEO/ Përplasje mes protestuesve në ditën e 78-të kundër qeverisë Rama, sherr mes “flamingove” dhe “trampistëve”?

16 Gusht 2026, 21:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përplasje mes protestuesve në ditën e 78-të

Një konfrontim është shënuar mes protestuesve gjatë ditës së 78-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës. Ende nuk dihen detaje të plota mbi shkaqet dhe përmasat e përplasjes, ndërsa situata ka krijuar tensione brenda vetë radhëve të protestuesve.

Përplasja vjen një ditë pasi aktivisti Adriatik Kurti kishte denoncuar publikisht tensionet dhe përçarjet mes grupeve që marrin pjesë në protestë.


Në një reagim të gjatë, Kurti ngriti akuza për gjuhë urrejtjeje ndaj grupit të “Flamingove”, duke pretenduar se disa persona të vetëquajtur konservatorë trapistë i kishin etiketuar këta protestues si “sorosjanë”.

Sipas tij, një incident i ngjashëm ishte shënuar edhe gjatë marshimit të “Flamingove”, ku, siç pretendon Kurti, një prej protestuesve ishte sulmuar verbalisht dhe gati fizikisht teksa i binte daulles.

Kurti e lidhi tensionimin e situatës me një pretendim të qarkulluar ditët e fundit për një takim të Aleks Sorosit me një përfaqësi të gjerë të grupit të “Flamingove”. Ai e cilësoi këtë lajm si “fabrikim”, duke pretenduar se bashkë me “Flamingot” në shënjestër ishin vendosur edhe grupi i “Lëvizja Bashkë” dhe ambientalistët.

“Që nga dita që grupi i Flamingove u sulmua pati rënie të ndjeshme organizative”, shkroi Kurti, duke pretenduar se situata kishte shkaktuar shqetësim edhe te organizatorët e protestës.

Aktivisti përmendi gjithashtu një takim koordinues të zhvilluar para marshimit, ku, sipas tij, Dritan Goxhaj kishte tentuar të motivonte grupet për të mos rënë pre e përçarjeve.

Në reagimin e tij, Kurti përdori tone të ashpra ndaj personave që i akuzon për nxitje të tensioneve, duke i cilësuar si “fashiste” dhe duke pretenduar se kanë një linjë koordinimi me disa figura të “Foltores”.


Video