Policia e Korçës ka sekuestruar edhe 101 kg të tjera lëndë narkotike kanabis në kuadër të operacionit "Restart" duke arrestuar edhe dy persona.
Droga është kapur në pikën kufitare të Kapshticës dhe në pranga janë vënë shtetasit M .R., 58 vjeç, banues në Tiranë dhe A. M., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, të cilët akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Autoritet njoftojnë se autorët kishin modifikuar kamionin e markës “Scania” dhe e kishin futur lëndën narkotike në shufra plastike, në rimorkion e kamionit.
"Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasi A. M. (punonjës i një kompanie private ushqimore, me qendër në qytetin e Tiranës) në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte ngarkuar lëndën narkotike në automjet, ndërsa shtetasi M .R. (shofer në kompani) do të kryente transportin e sasisë, në drejtim të Turqisë." thuhet në njoftimin e policisë.
Në kuadër të operacionit "Restart" ka shkuar në 25 numri i të arrestuarve dhe është kapur në total 666.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.