Veliaj në SPAK/ Ndreca replikon me Alimehmetin: Vetëm dy shkresa janë firmosur prej kryebashkiakut. Opozita ka sjellje banditizmi

1 May 2024, 22:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Veliaj në SPAK/ Ndreca replikon me Alimehmetin: Vetëm dy shkresa
Ilir Alimehmeti dhe Plarent Ndreca

Deputeti socialisti Plarent Ndreca, i ftuar këtë të mërkurë në Top Story, ka folur lidhur me thirrjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në SPAK.

Ai tha se në Prokurorinë e Posaçme do shkojë çdo zyrtar që thirret nga SPAK për të informuar apo dhënë shpjegime.

Duke e cilësuar Veliajn një mik, ai tha se kryebashkiaku ka treguar gatishmëri që të japë shpjegime dhe se sipas tij nuk ka lidhje me çështjen.

“Do shkojë çdo zyrtar sa herë gjykohet nga SPAK për të informuar, dhënë llogari apo shpjeguar gjithë çfarë kanë bërë në ushtrimin e detyrës së tij. Unë kam informacion mbi çështjen nga pikëpamja profesionale, por nuk ka rëndësi informacioni im, por kjo është në varësi të gjykimit të SPAK.

Veliaj ka treguar gatishmëri që të japë shpjegim, siç e ka thënë ai ka kërkuar që të japë shpjegim. Mendoj se SPAK ka vepruar ftohësish për procedurat, dhe pse ka një presion politik. Veliaj është zyrtar i lartë që ka më pak lidhje me këtë çështje. Në morinë e shkresave, vetëm dy janë firmosur prej tij”, tha ai.

Ndërkohë, gjatë emisionit pati edhe një debat mes socialistit Plarent Ndreca dhe këshilltarit bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti lidhur me paraqitjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK.

Alimehmeti shpjegoi pse opozita është përqendruar me protestat para bashkisë së Tiranës. Sipas tij, Veliaj ka kryer shkelje në procedurat e ndjekura për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Ndërsa, Ndreca tha se Alimehmeti nuk mund të luajë rolin e prokurorit dhe theksoi se nëse ai beson tek institucionet, atëherë nuk ka pse të jetë në protestat që militantët e Berishës mbajnë poshtë ballkonit të banesës së tij.

Pjesë nga debati:

Alimehmeti: Ne jemi të qartë që atje nuk ka një incenerator dhe vazhdon pagesa për inceneratorin. Ne kemi nevojë të veprohet shpejt për të ndaluar dëmin ekonomik madhor të mbështetur politikisht.

Ndreca: Kur merret doktori me çështje juridike, konkluzioni kështu do dalë. Nuk e thashë pa qëllim që është kthyer në çmendinë politike opozita se çohet në mëngjes dhe thotë SPAK dhe në mbrëmje thotë “SKAP”. Ne po hetohemi dhe nuk sheh asnjë shqetësim nga asnjëri prej nesh dhe kemi pasur durimin e duhur për të pritur atë çfarë thonë institucionet. Fakti që nuk ka incinerator, nuk do të thotë se mbetjet nuk përpunohen. Ku shkojnë këto plehra? Sepse Tirana sot është e pastër. Opozitë institucionale që sillen si bandita unë nuk kam parë. U është dhënë vota për të përfaqësuar qytetarët dhe i vënë flakën godinave.

Alimehmeti: Më dolët personale, më lejoni të përgjigjem tani

Ndreca: Personale nuk kam asgjë, je përfaqësues politik këtu

Alimehmeti: Mos vini në gojën time fjalë që nuk e kam thënë.

Ndreca: Më thuaj një fjalë që nuk e the

Alimehmeti: Unë besoj në çdo institucion

Ndreca: Atëherë pse bën prokurorin duke u futur në detaje. Sot babain tënd politik e ke në ballkon të akuzuar nga SPAK dhe non-grata nga BE. Nuk gjen asnjë nga ne të thotë të shkojë në burg.

Alimehmeti: Keni ardhur me paragjykime.

Ndreca: Nëse ti vjen e bën prokurorin këtu, do të thotë se ti nuk u beson institucioneve. Nëse u beson, atëherë pse shkon e proteston poshtë ballkonit? Nëse ti i beson institucioneve, mos shko të protestosh poshtë ballkonit.


Video