U mbyll me urdhrin e Erdogan? Reagon kopshti i financuar nga Fethullah Gylen, akuzojnë institucionet shqiptare

21 Shtator 2022, 21:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fethullah Gülen, Edi Rama dhe Erdogan

Kopështi jopublik "Zubeyde Hanim", pjesë e shoqërisë "Turgut Ozal" ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për mbylljen e tij, pas rreth 24 vite të ushtrimit të aktivitetit të tij në Shqipëri. 

Përmes një deklarate për mediat, ky kopësht akuzon drejtpërdrejt institucionet, ku vë në pikëpyetje ligjmërinë e këtij vendim, teksa theksojnë se mund të ketë ndodhur nën presione të ndryshme, pa përmendur se nga kush.

Kopështi jopublik "Zubeyde Hanim" bën me dije se ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dokumentacionin për anulimin e këtij dhe se kanë vënë në dijeni të gjitha institucionet shqiptare dhe të huaja.

Mbyllja është bërë me arsyetimin e shkeljes së rëndë të licencës, pasi sipas Ministrisë së Arsimit, godina ku ushtrohej aktiviteti nuk ishte pajisur me autorizimin përkatës nga ministria.

Kopështi jopublik "Zubeyde Hanim", pjesë e shoqërisë "Turgut Ozal", financohet nga filantropi Fethullah Gylen, i cili njihet si kundërshtari më i madh i presidentit turk Erdogan.

Ky i fundit ka shpallur organizata terroriste fondacionet dhe institucionet e themeluara dhe të drejtuara nga Gylen, ndërsa pjesë e kësaj beteje është bërë edhe Shqipëria.

Prej vitesh Turqia kërkon mbylljen e shkollave të Gylen në Shqipëri, madje duke prezantuar në vend rrjetin e shkollave Maarif, që mbështeten nga Erdogan. Ky i fundit dyshohet se qëndron pas shtyrjes së vazhdueshme të hapjes së Xhamisë së Namazgjasë, pasi akuzon se në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar janë mbështetësit e Gylenit.

Reagimi i plotë në dokumentin e mëposhtëm:

Dokumenta bashkëngjitur

Video