Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit policor të koduar "Free road", pasi akuzohen për transport të mallrave kontrabandë.
Në pranga janë vënë shtetasit:
- Edison Cani, 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një linje transporti;
- Altin Metani, 52 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
- Dorjan Zguro, 31 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
- Shkëlqim Mehmeti, 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
- Zaljon Braho, 32 vjeç, banues në Tiranë, faturino në një linjë transporti;
- Erald Lajmi, 22 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një poste private.
Gjithashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, shtetasit Xh. Sh. dhe S. M., punonjës të pikës doganore Morinë, Kukës, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi S. B., administrator i një subjekti privat.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në rrugën "Jordan Misja", në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit Altin Metani, Dorjan Zguro dhe Shkëlqim Mehmeti, të cilët do të merrnin mallrat, të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës.
Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh, shërbimet e Policisë kanë gjetur mallra të tjera, pa pullë fiskale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që i kanë porositur.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të futura kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), autobusi dhe tre automjete.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.