Këtë të hënë po zhvillohet dita e dytë e protestës për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdia, e cila u vra nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase në plazhin e Potamit të Himarës.
Protesta organizohet nga partitë opozitare dhe shoqëria civile ku kërkohet dorëheqja e dy ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.
Në protestën e sotme, protestuesit kanë lyer me bojë të kuqe muret e godinës së Ministrisë së Brendshme, ku sipas tyre, simbolizon gjakun e shkaktuar nga kryeministri Edi Rama si dhe ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.
“Sot këtu me ne po shikohen disa protestues që nuk po lënë asgjë pa sharë këtë qeveri. A mund t’i vëmë faj këtyre, kur qeveria nuk merr asnjë përgjegjësi. Si mund të mos i shajmë nga familja.Po i paguajmë me gjak krimet e këtij shteti, vjedhjet që po na bëjnë çdo ditë, shtypjet dhe arrogancën. Sot prindërit shqiptarë keni frikë të kaloni rrugët. Sa prej jush kanë guxim të lënë fëmijët e vegjël që të luajnë në lagje. Po na shkatërrohet jeta të gjithëve nëse nuk reagojmë. Kush e ka rradhën, unë apo ndonjë tjetër, ndonjë fëmijë tjetër. Po na vrasin fëmijët, u kërkojmë ndjesë gazetarëve, motrave për përdorimin e një fjalori të caktuar. Ky është gjaku i Jonadës, gjaku që ka shkaktuar Edi Rama, ministrja Kumbaro” – tha një qytetar.