Një tragjedi është regjistruar në një familje shqiptrare në Francë, pasi vajza e tyre, 13-vjeçe, është rrëzuar nga kati i pestë i një ndërtese dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën në Ban-Saint-Martin (Moselle), teksa ende nuk dihet identiteti i viktimës. Lajmin e ka konfirmuar për mediat franceze edhe kryebashkiaku Henri Hasser, i cili ka dhënë detaje mbi ngjarjen.
“Është një tragjedi”, tha Henri Hasser, duke mos gjetur të tjera fjalë për ta përshkruar.
Vajza ishte nxënëse e klasës së katërt në Kolegjin Jean-Bauchez. Në një intervistë për Lorraine Actu, Henri Hasser dha disa elemente të personalitetit të adoleshentit.
Sipas kryebashkiakut, vajza e re ishte më e madhja e një familjeje me origjinë shqiptare, fëmijët e së cilës janë të gjithë të arsimuar në qytet.
“Motra e saj e vogël është në klasën e gjashtë në kolegj dhe dy të fundit janë bashkë në shkollën Pagnol”, shton Hasser.
Kryebashkiaku e përshkruan më tej viktimën një vajzë “e cila ishte drejtuese e klasës së saj të katërt dhe që ishte madje ajo që përfaqësonte të gjithë delegatët e kolegjit”.
“Një fëmijë të fortë dhe dinamik”, shton më tej ai. Vdekja e vajzës së re ishte një tronditje për institucionin ku ajo u shkollua. Në kolegjin Jean-Bauchez është ngritur një njësi dëgjimi psikologjike.
Në rrjetet sociale disa prindër folën se sa e vështirë do të ishte rikthimi në shkollë për fëmijët e tyre. “Zemra e mamit mund vetëm të ngushëllojë, nuk e imagjinoj dot tmerrin që mund të përjetojë familja”, shkruan nëna e një studenti pasditen e djeshme, një ditë pas tragjedisë.