Tirana nën "PETKUN" e atentateve, dy ekzekutime MAFIOZE në 5 ditë: Krimet pa autor!

19 November 2024, 09:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tirana nën "PETKUN" e atentateve, dy ekzekutime MAFIOZE në 5
Klajdi Prendi/ Fran Prendi

Tirana është tronditur nga dy ekzekutime mafioze brenda 5 ditësh.

Pak pas mesnatës së të hënës, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko”, u qëllua me 5 plumba, Klajdi Prendi, djali i ish-gjyqtarit të GJKKO-së, Fran Prendi.

Viktima sapo kishte dalë nga një lokal dhe po futej brenda automjetit të tij, kur u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët. 

30-vjeçari mori 5 plumba dhe u dërgua në gjendje të rëndë tek spitali i Traumës në kryeqytet për ndihmë mjekësore, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.

Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 3 persona, ku dy kishin rolin e qitësit, ndërsa i treti ishte shoferi i automjetit ku udhëtonin autorët.

Rreth 30 minuta pas ngjarjes së rëndë, në afërsi të Liqenit të Farkës është gjetur duke u djegur një mjet tip “Audi”, që dyshohet se i përket atentatorëve.

Ndërkohë 5 netë më parë, rreth orës 23:10 të mbrëmjes së 13 Nëntorit, u ekzekutua po ashtu në një atentat mafioz biznesmeni i ndërtimit Eduart Reçi.

Ai u qëllua me një plumb të vetëm në kokë me pushkë dylbi, dyshohet nga distanca, teksa po qëndronte në sheshpushimin e pallatit të tij, ku edhe banonte, përballë Fakultetit të Ekonomisë.

52-vjeçari u dërgua tek Trauma në gjendje të rëndë, por nuk arriti që t’i mbijetojë plagës së marrë, duke humbur jetën.

Mister mbeten autorët e krimit, dhe motivet e atentatit ndaj biznesmenit të ndërtimit.


Video