Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar pritet të ekstradohen sot nga Dubai drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila bën me dije se të ekstraduarit akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, pastrimit të parave dhe mashtrimit kompjuterik, të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.
Në mesin e tyre është dhe Kristi Qirici alias Jetmir Hoxhaj apo Jetmir Qirici, së bashku me Shkëlzen Kraja, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal që kultivonte kanabis në Sarandë dhe zonat përreth në vitet 2019-2021 dhe më pas droga trafikohej drejt Greqisë. Qirici është gjithashtu dhe vëllai i Edmond Papës, biznesmeni i ekzekutuar në dhjetor 2022.
Priten të ekstradohen sot dhe Aleks Pepaj e Ilir Lazri, pjesë e grupit kriminal të Jetmir Pepës, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt vendeve të BE. Ndërsa Merxhan Celiku është shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik si pjesë e grupit të Amant Josifit.
Në mesin e personave që pritet të ekstradohet sot është dhe biznesemeni me 3 emra Devit Patrut alias Elidon Skëndaj alias Devid Boraj alias Fatmir Pepaj, i shpallur në kërkim nga SPAK si anëtar i grupit të bosit të ‘Cincos’ Ermir Ndreaj, që mbushën Evropën me kokainë.
“Pritet të ekstradohen sot, në Shqipëri, 6 shtetasit e kapur në Dubai, pjesëtarë të grupeve kriminale.
6 shtetasit ishin në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushat e narkotikëve, krimeve kompjuterike dhe/ose pastrimit të parave.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të ekstradohen sot, në Shqipëri, shtetasit:
-K. Q. alias J. H. alias J. Q., 44 vjeç; Sh. K., 44 vjeç; A. P. alias Sh. P., 38 vjeç dhe D. P. alias E. S. alias D. B. alias F. P., 39 vjeç, të gjithë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-I. L. alias I. S., 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale/veprës penale, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-M. C., 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.