SPAK ka lëshuar sot 9 masa sigurie, mes tyre dhe tre ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.
Bëhet fjalë për Mariglen Qaton (ish-kreu i Inspektoriatit Ndërtimor në Tiranë) dhe Redi Molla (ish-drejtor i UKT-së). Qato ka pasur detyrën e kreut të IMT-së në periudhën 2015-2022, ndërsa Molla u largua nga posti si drejtor i UKT-së në vitin 2020.
Ndërkohë ish-zyrtari i tretë ndaj të cilit është lëshuar masa e arrestit në burg është Taulant Tusha. Ky i fundit ndodhet në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Taulant Tusha akuzohet për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera” në dy raste.
“Janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi T.T. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe shtetasit E.P., J.Z. dhe A.J. në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik”, njoftoi SPAK.