Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar 25 dëshmitarë për gjyqin ndaj Erion Alibejt, i akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit me 20 korrik 2020.
SPAK ka kërkuar të pyetet edhe Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë që zbardhi detaje nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin.
Dumani zbuloi se ishte organizator i vrasjes së Ramazanit, Erion Alibej ishte financues i vrasjes së Ramazanit, ekzekutor Skerdi Tasi dhe ndihmës për ekzekutimin kanë qenë Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.
"Shteti sajoi prova e dëshmi ndërsa procesi është i montuar. Dëshmitarët e drejtësisë janë 4 dhe thonë versione të ndryshme", tha avokati i Alibej.
Sipas dosjes hetimore, efektivi i policisë Leonard Palushi i porositur nga Erion Alibej, ka bërë gjtihçka për të prishur hetimet, ndërkohë që si alibi kishte edhe faktin se nuk ishte në punë.
Në vitin 2020 Leonard Palushi ka qenë efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan ku ka ushtruar detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve.
Në dosje theksohet se me kërkesë ta Palushit është ndërruar leja vjetore e tij, nga data 16-31 korrik 2020 kur ishte planifikur në 1-15 gusht 2020. Ndërkohë që vrasja me armë e Emiljano Ramazanit ndodhi më datë 20 korrik 2020.