SPAK i sekuestroi celularin qytetares pa vendim gjykate, vendimi i Kushtetueses që do të krijojë precedent: I është cënuar e drejta

29 Korrik 2025, 19:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e qytetares Onejda Ymeraj, duke konstatuar se sekuestrimi i celularit të saj nga Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka cenuar të drejtën për lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ymeraj nuk ishte subjekt i procedimit penal, por pavarësisht kësaj, celulari i saj u sekuestrua dhe të dhënat e tij u përpunuan“, thekson Kushtetuesja në njoftim.

Gjykata vlerëson se ky veprim nuk u shoqërua me garancitë e nevojshme ligjore dhe u bë në mungesë të proporcionalitetit të duhur.

Në këtë vendim, gjyqtarët sqarojnë se kur sekuestrimi i telefonit bëhet në kushte urgjence, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor në një kohë sa më të shpejtë.

“Gjykata vlerëson se nga përmbajtja e neneve 36 dhe 35 të Kushtetutës liria dhe fshehtësia  së korrespondencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale janë të garantuara në nivel kushtetues, çka do të thotë se garancitë mbrojtëse nga arbitratiteti i autoriteteve publike gjatë procesit penal detajohen në Kodin e Procedurës Penale. Në interpretimin e tyre Gjykata mban parasysh edhe garancitë sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tej.

Në përfundim, Gjykata urdhëron asgjësimin e të gjitha kopjeve të mesazheve dhe të dhënave personale që nuk lidhen me objektin e hetimit penal dhe kërkon që pjesa tjetër të mbahet në sekuestro vetëm nën kontroll gjyqësor.

Prokuroria e Posaçme duhet të zbatojë këtë vendim brenda 3 muajve.

Ky vendim shënon një precedent të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave digjitale dhe lirisë së korrespondencës në Shqipëri.

Sekuestrimi i celularit të Ymerajt u bë në kuadër të hetimeve ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.


Video