Të shumta janë reagimet për ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa mbetën të plagosur edhe dy persona.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), e konsideron atentatin një sulm ndaj Kushtetutës.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.
Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.
Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit”, thuhet në reagimin e KLP.
Ndërsa Gjykata e Lartë thotë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja është sinjal alarmi për sigurinë e gjyqtarëve.
Gjykata e Lartë thekson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, shprehet Gjykata e Lartë