Si ndodhi sherri në burgun e Fierit mes personazheve të krimit: Denis Bajri dhe një tjetër u plagosën! Aldo Gjini i ‘Rrajave’ futet në izolim

8 Gusht 2026, 19:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Denis Bajri dhe Aldo Gjini

Minutat e ajrimit në burgun e sigurisë së lartë në Fier u shndërruan në përleshje mes të burgosurve.

Dy personazhe të njohur të botës së krimit, Denis Bajri i grupit të Shkodrës, dhe Aldo Gjini i Fushë-Krujës, së bashku me një të tretë, Jurgen Zoton, u përleshën me njëri-tjetrin, gjatë kohës që ishin në ajrim.

Në sherrin mes tyre, motivi i të cilit ende nuk bëhet i ditur, raportohet se u përdor mjet prerës, brisk.

Denis Bajri, i njohur edhe si Brajoviç, dhe Jurgen Zoto, morën dëmtime në trup.

Situata kërkoi ndërhyrjen e forcave të sigurisë së burgut, të cilat neutralizuan të përfshirët, ndërsa dy të lënduarit pasi morën ndihmë në spital u risollën në qeli.

Për sherrin në ambientet e ajrimit, burgjet morën masa dhe futën në dhomë izolimi Aldo Gjinin, çka lë dyshime se ai mund të ketë qenë personi që ka lënë të lënduar dyshen e të dënuarve.

Mësohet se tre të përfshirët në dhunë njihen me njëri-tjetrin dhe kalonin kohë së bashku gjatë ajrimit. Pamjet e kamerave të sigurisë pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Denis Bajri akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit 2022. Për llogari të Martinajt, Denis Bajri akuzohet se ka marrë pjesë në eliminimin e Gjin Ndojit në 2020-ën. Ai u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tashmë SPAK e ka kaluar dosjen e tij për gjykim.

Aldo Gjini është pjesë e grupit kriminal të ‘Rrajave’ të Fushë-Krujës, të cilët akuzohen nga SPAK se kanë trafikuar 2.4 ton marijuanë e kokainë drejt Evropës, operacion i finalizuar në fillim të vitit në janar, mes të cilëve edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Grupi trafikoi drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së. Aldo Gjini në korrik 2021, u përfshirë në një plagosje në Tiranë. Më herët kërkohej nga Europol për vrasje dhe trafik armësh. Ai dyshohet autor i një plagosje në nëntor 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016 u arrestua në Itali, për shpërndarje droge.

Ndërkohë, i burgosuri tjetër pjesë e sherrit, Jurgen Zoto, ndodhet në burg për veprat penale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.


Video