Shumë degë me kuota ende të lira, maturantëve iu jepet edhe një shans për regjistrimet në universitet

2 November 2022, 19:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shumë degë me kuota ende të lira, maturantëve iu jepet edhe
Foto ilustruese

Është hapur raundi i fundit për procesin e regjistrimit për vitin akademik 2022-2023 për të gjithë maturantët që nuk kanë mundur të regjistrohen në universitet në raundet e mëparshme.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu dhënë dhe një tjetri mundësi maturantëve.

Ministrja fton të gjithë maturantët të plotësojnë formuarin dhe të zgjidhin një nga programet ku ka ende kuota të lira, në universitete publike dhe jopublike. Afati për plotësimin e formularëve do të jetë data 3 nëntor 2022, ora 8:00 – 16:00.

Postimi i plotë i Kushit:

Për të gjithë ata të rinj që duan të regjistrohen në universitete, që plotësojnë kriteret e mesatares së pranimit, por për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të plotësojnë formularin A1/A1Z, apo që duhet të sistemojnë të dhëna që u mungojnë, dëshiroj t’ju jap lajmin e mirë se kemi ofruar një mundësi të re.

Në këtë raund të fundit të procesit të regjistrimit për vitin akademik 2022-2023, ju ftojmë të plotësoni formularin dhe të zgjidhni një nga programet ku ka ende kuota të lira, në universitete publike dhe jopublike, sipas preferencave tuaja.

Afati për plotësimin e formularëve do të jetë data 3 nëntor 2022, ora 8:00 – 16:00.

Në të gjitha shkollat e mesme të vendit, stafet tona mësimore do të jenë në gatishmëri të plotë për t’ju asistuar në këtë proces.

Suksese të gjithëve!


Video