Nis seanca në Apelin e Posaccëm në ngarkim të ish kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që prej shkurtit të vitit 2024 kur u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares Flojera Davidhi pas kalimit të afateve të paraburgimit.
Mungesa e shtetasit Adrian Bulku dhe i mbrojtësit të tij ligjor, bëhet shkak për moszhvillimin e seancës.
Prokurori Sotir Kllapi i kërkoi turpit gjykues që të shtyjë seancën, duke qenë se Adrian Bulku ka qenë njëri prej personave qe ankimoi vendimin e shkallës së parë në Apel.
Për këtë arsye, trupi gjykues i përbërë nga Engert Pëllumbi kryesues, me anëtarë Ilirjana Olldashi dhe Miliana Mucca shtyu seancën në datë 1 korrik ora 10.30.
Gjykata caktoi avokatin kryesisht Artan Simoni, në mungesë të mbrojtësit ligjor të Adrian Bulkut.
Dako është dënuar nga shkalla e parë me 2 vite e 8 muaj burg për “shpërdorim detyre” kryer ne dy raste.
Ndërsa Adrian Bulku, Fatmir Ejupi dhe Fiqiri Farruku u dënuan me 2 vite burg, dënim që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për 4 vjet.