Është marrë e pandehur, ish-prokurori: Balluku mund të përballet me akuza të tjera nga SPAK

10 Nëntor 2025, 23:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belinda Balluku ne SPAK

Pas publikimit të përgjimeve dhe nisjes së hetimeve nga SPAK, një nga pyetjet që po shtrohet është nëse zv.kryeministrja Belinda Balluku mund të përfundojë në burg.

Ish-prokurori Eugen Beci, ka sqaruar në ‘Log’ në News24 se një skenar i tillë nuk është domosdoshmërisht i detyrueshëm, pasi gjithçka varet nga vepra penale për të cilën ajo akuzohet dhe niveli i rrezikshmërisë së saj juridike.

“Jo domosdoshmërisht. Nuk hyn te ato veprat penale që kanë një marzh të lartë dënimi. Akuza për shkelje të barazisë në tendera, për shembull, nënkupton se SPAK ka lidhur procedurën e një tenderi me komunikime, apo marrëdhënie që mund të kenë ndikuar në procesin e përzgjedhjes,” tha Beci.

Sipas tij, nëse hetimi nis për shkelje administrative apo korrupsion pasiv, atëherë rasti do të trajtohet ndryshe.

“Nëse është bërë nga një padi ose për shkelje të korrupsionit, çështja do të hetohet. Por masa e sigurimit nuk është automatike”, pohoi ai.

Ish-prokurori theksoi se masa e sigurimit për gratë trajtohet me më shumë kujdes, nëse ekzistojnë rrethana të veçanta humane. “Një zonjë me fëmijë të porsalindur, apo me probleme të rënda shëndetësore, mund të përfitojë lehtësim në masën e sigurisë. Por për pjesën tjetër nuk ka përjashtime – ligji është i njëjtë për të gjithë” u shpreh ai.

Më tej, Beci ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke lënë të kuptohet se çështja aktuale mund të mos jetë e vetmja.

Beci tha se hetimi ndaj Ballukut mund të zgjerohet edhe në drejtime të tjera të lidhura me aktivitetin e Ministrisë së Infrastrukturës, ku sipas tij, mund të ekzistojnë dosje të tjera nën verifikim nga SPAK.

“Fakti që zëvendëskryeministrja e Shqipërisë është marrë nën hetim, më bën të besoj se SPAK do të ecë më tej me prova të tjera që mund të çojnë në hetime të reja për çështje të tjera që janë aktualisht në proces,” deklaroi ish-prokurori.

Sipas Becit, hetuesit e SPAK-ut po ndjekin një qasje objektive për caktimin e masave të sigurimit, por gjithçka varet nga zhvillimi i provave.

“Nëse faktohet se mund të cënohen provat, atëherë SPAK mund të ketë arsye të forta për të kërkuar masa sigurie më të rënda,” shtoi ai.

 


Video