Shqiptari bën aktin heroik në Itali, hidhet në ujë dhe shpëton të moshuarin

20 November 2025, 23:37Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqiptari bën aktin heroik në Itali, hidhet në ujë dhe
Shqiptari bën aktin heroik në Itali, hidhet në ujë dhe shpëton të moshuarin

Një shqiptar në Itali është kthyer në hero pasi shpëtoi një 85-vjeçar që rrezikonte të mbytej në kanalin Battaglia, në Padova. Ngjarja ndodhi rreth mesditës të së enjtes, kur i moshuari humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në ujërat e akullta pas një manovre të gabuar pranë zonës Villa Molin.

Elton Zefi, 35 vjeç, i cili po kalonte rastësisht në vendin e ngjarjes, pa makinën që po fundosej dhe njerëzit të shokuar në breg.

“Desha të hidhesha menjëherë, por një person më ndaloi dhe më tha të prisja momentin e duhur”, tregon ai.

Në momentin kur i moshuari nisi të bërtiste për ndihmë, Zefi dhe një person tjetër u hodhën në ujë. Makina ishte gati e zhytur, por bagazhi u ngrit pak mbi sipërfaqe dhe Zefi u ngjit mbi të për të thyer xhamin, pasi ishte i vetmi vend nga ku mund të ndërhynin.

Përpjekjet dhanë rezultat.

“Pasi theva xhamin, një dorë doli nga brenda dhe ne e tërhoqëm me gjithë forcën. Në fillim ishte e vështirë, por fatmirësisht ia dolëm. I moshuari doli i gjallë dhe nuk pushonte së na falënderuari”, tha ai.

Shërbimet e emergjencës mbërritën pak minuta më vonë, duke u dhënë ndihmë Zefit dhe personit tjetër që u futën në ujë, pasi temperaturat ishin shumë të ulëta. 85-vjeçari u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Jam i lumtur që dolëm me sukses. Gëzimi që ndjemë kur e nxorëm të gjallë ishte i paçmuar,” tha Zefi.

Ngjarja u filmua edhe nga një kamera lokale dhe pamjet po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, ku Elton Zefi po vlerësohet si hero.

 


Video