Shqipëria ka vendosur të heqë vizat me dy shtete, Nikaraguan dhe Kirgiztanin. Vendimet janë miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministave ditën e sotme.
Me Nikaraguan, heqja e vizave i përfshin të gjitha kategoritë, si ato të zakonshme dhe për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.
Ndërsa me Kirgiztanin kjo vlen vetëm për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.
Vendimi i parë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Nikaraguas, për përjashtimin e vizave për pasaportat e zakonshme, diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Vendimi i dytë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Republikës së Kirgizstanit, për përjashtimin e kërkesave për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.