Prej disa ditësh, një debat i madh po zhvillohet lidhur me numrin e pushuesve në vendin tonë.
Në rrjetet sociale nuk kanë munguar as pamjet që tregojnë disa prej plazheve të zbrazura, teksa shifrat e qeverisë nuk përputhen me realitetin.
Pa dyshim që një prej penguesve më të mëdhenj për shqiptarët që të shplodhen buzë detit është edhe çmimi i lartë, ndonjëherë edhe abuziv i shezlongëve, pijeve apo ushqimit.
Në këto rrethana, të shumtë janë ata pushues që kanë zgjedhur mënyra alternative. Të tilla janë udhëtimet me varkë në plazhe të largëta, aty ku nuk kanë arritur ende resortet strategjike, duke marrë me vete pije dhe ushqime.
Një rast të tillë na e sjell edhe gazetari nga Vlora, Enrik Mehmeti, i cili thotë se këtë të shtunë, plazhistë të shumtë nuk mungojnë në ishullin e Sazanit.
Por shumë shpejt, mesa duket edhe ky ishull do të bëhet i paarritshëm për qytetarët e thjeshtë, nëse qeveria vendos ta japë për resorte luksoze te dhëndri i Donald Trump, Jarred Kushner, i cili do e ndërtojë me paratë e sauditëve.