
Presidenti Bajram Begaj, në përfundim të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), deklaroi se Deklarata e Tiranës nuk u miratua nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Begaj tha se Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk votuan për dokumentin përfundimtar.
"Deklarata e përbashkët ishte dokumenti i Tiranës dhe u votua nga shumica e shteteve anëtare të SEECP. Serbia dhe Bosnja vendosën të mos e miratojnë atë, gjë që është e drejta e tyre sovrane. Megjithatë, ne ramë dakord me Kosovën për një deklaratë shtesë, e cila theksoi se sanksionet e vendosura ndaj saj janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ato nuk ndëshkojnë politikanët, por qytetarët e Kosovës", tha presidenti Begaj.
Samiti i SEECP u mbajt këtë të hënë në Tiranë, nën kryesinë e presidentit Begaj, me pjesëmarrjen e udhëheqësve rajonalë. Në fund, ishte planifikuar të nënshkruhej deklarata para fotos zyrtare të udhëheqësve, por kjo nuk ndodhi.