Organizata Trump ka njoftuar planet për të lançuar një shërbim telefonie celulare, në përpjekjen e fundit të biznesit familjar për të përfituar nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, raporton Financial Times.
Kompania, e cila menaxhohet nga djemtë e Trump, të hënën zbuloi një smartphone me ngjyrë ari, të prodhuar në SHBA, për 499 dollarë, i cili do të dalë në gusht. Plani kryesor i operatorit "Trump Mobile" do të kushtojë 47.45 dollarë në muaj.
Krijimi i shërbimit celular është pjesë e një sërë lëvizjesh të fundit të familjes Trump për të zgjeruar perandorinë e tyre ndërkombëtare të korporatave. Kompania në të kaluarën është përballur me shqetësime rreth konflikteve të mundshme të interesit, duke pasur parasysh pozicionin e fuqishëm të Donald Trump si president i SHBA-së.
Plani do të ofrojë shërbime telemjekësore dhe thirrje ndërkombëtare falas në më shumë se 100 vende. Trump Mobile do të ofrojë shërbim 5G përmes të tre operatorëve kryesorë celularë në SHBA - AT&T, Verizon dhe T-Mobile.
Shërbimi 'T1 Mobile' po pozicionohet nga Organizata Trump si një "shërbim tërësisht amerikan për njerëzit më punëtorë të vendit tonë". Grupi tha se 'telefoni T1' në ofertë është një pajisje "elegante, e artë" që është "dizajnuar dhe ndërtuar me krenari në Shtetet e Bashkuara".
Donald Trump ka targetuar prodhuesit e telefonave inteligjentë në përpjekjet e tij për të rikthyer prodhimin në SHBA. Asnjë prodhues i madh i telefonave inteligjentë nuk prodhon pajisjet e tyre në SHBA, dhe presidenti në maj kërcënoi kompani si Apple dhe Samsung me një tarifë prej të paktën 25 përqind që në fund të qershorit nëse ata nuk i prodhojnë dhe ndërtojnë këto produkte brenda vendit.
“Trump Mobile do ta ndryshojë lojën, ne po ndërtojmë mbi lëvizjen për ta vendosur Amerikën në vend të parë dhe do të ofrojmë nivelet më të larta të cilësisë dhe shërbimit”, tha Donald Trump Jr, nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump.