Aleksandër Laho, alias Rrumi i Shijakut, ka tentuar që të rrëmbejë edhe një pronë në Tiranë, ku aktualisht është vendosur televizioni “A1 Report”.
Prona është në zonën e ish-kompleksit Partizani, në godinën e një ish-ndërmarrje metalike “Tirana”, ose ish-Reparti i Orëve.
Televizioni e ka marrë këtë pronë në vitin 2019, me një vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që grupi i Rrumit të Shijakut kishte plane të tjera për këtë pasuri.
Në dosjen që ka siguruar VoxNews detajohet një bisedë mes Aleksandër Lahos dhe vëllait të tij Vullnet Muça, ku ata flasin edhe për kontraktimin e një studio ligjore që do të ndjekë çështjen. Madje, të dy janë të bindur se vetëm një “zonjë” ua merr.
SPAK-u nuk ka saktësuar se kush është “zonja”, ndërkohë në bisedë del vetëm se “ajo gruja ka tru me ja marë”.
Laho dhe vëllai i tij me mbiemër tjetër flasin se “zonja” në fjalë është ajo që e hoqën nga puna, megjithëse është specialiste për civile.
Në fund të bisedës të dy janë të bindur që t’ia japin “zonjës” çështjen, ndërkohë që SPAK-u nuk është thelluar nëse ka pasur tentativa apo skemën se si do të rrëmbehej prona.
Biseda mes tyre është zhvilluar në vitin 2020, një vit pasi qeveria ia kishte dhënë godinën televizionit A1 Report.
Duket se Rrumi i Shijakut kishte krijuar një grup të mirëfilltë për të rrëmbyer pasuri shtetërore.
Me lidhje të forta në Kadastër, ai dhe grupi i tij, fuste dokumente të falsifikuar, sajonte gjyqe fiktive apo kërcënonte edhe pronarët.
Një skemë e mirëfilltë, ku SPAK-u do të duhet të hetojë edhe bashkëpunëtorët e tij në institucione shtetërore, sidomos në Kadastër!
Pjesë nga DOSJA e SPAK-ut
Fakti që Aleksandër Laho dhe Vullnet Muça kanë përdorur studio ligjore dhe avokatë të specializuar në çështje civile, me qëllim fitimin e pronës duke paraqitur në procese gjyqësore dokumente të origjinës së pronës të falsifikuar, vërtetohet edhe nga biseda e datës 26 shtator 2020, ku bisedojnë për një pronë që Këshilli i Ministrave ia ka kaluar për shfrytëzim televizionit A1 Report.
Biseda paraqitet si vijon;
Vullneti – Ktë ke bëri ktë godinën e paskan prish, pash tabelat e Raport TV ati televizjonit.
Aleksandri – Duhet parë çfarë kontrate kan ba, mbaret sa duhet me u konsumu aty … Ai italiani thotë bëri e ka marë… Po duhet parë sa kohë e ka kontratën …
Vullneti – Problem do jet.
Aleksandi – Po po … Duhet parë ai a kan dhënë me VKM si ja kan dhën kontratën.
Vullneti – Ta shofim.
Aleksandri – Me ja mar ja mer po jemi pak të përgojum … Se s’ka ça bon ai ja mer …
Vullneti – Po të shofim kontratën dhe po ashtu ja lejm nanji stdio tu pa tu bo.
Aleksandri – Po po … vetëm ajo gruja ka tru me ja marë … Ajo që hoqën nga puna ajo ësht specialiste pë rcivile … Ajo e mer … Avokat normal jo … Asajt ja japin.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.