Një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja këtë të premte në fshatin Derdush, njësia administrative Dardhas, në Bashkinë Pogradec.
Sipas të dhënave paraprake, rrufeja ka vrarë rreth 10 krerë bagëti të imta, ndërsa 17 të tjera kanë pësuar lëndime.
Tufa, e përbërë nga rreth 190 krerë dele dhe dhi, është në pronësi të Tatjana Biçoku dhe ishte në shtegtim nga zona e Pirgut drejt kullotave malore, kur u godit nga rrufeja.
Në vendngjarje janë nisur shërbimet veterinare për të vlerësuar gjendjen e bagëtive të mbijetuara dhe për të marrë masat e nevojshme.
Për shkak të mungesës së valëve telefonike në zonën malore, komunikimi me barinjtë dhe pronarët e tufës ka qenë i vështirë.
Ndërkohë, pritet një bilanc përfundimtar pas verifikimeve në terren.