
Instituti i Shëndetit Publik ka hapur një tender 40 mln lekësh për blerje kitesh, si përgjigje ndaj rritjes së numrit të infektiveve që është raportuar ditët e fundit.
Rritja e infektimeve u faturohet heqjes së masave kufizuese dhe shtimit të lëvizjeve për shkak të sezonit turistik dhe ardhjes së emigrantëve.
Rreth 400 mijë euro do të harxhojë ISHP për blerjen e këtyre materialeve për një periudhë kohore prej 1 viti. Tenderi është i ndarë në 4 lote dhe në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik. Numri i kiteve që do të blihen është në varësi të çmimit që do të gjendet në treg.
Publikimi për këtë tender është bërë në datën 14 qershor dhe pranimi i ofertave është deri në 29 të këtij muaji.
Tenderët në fushën e shëndetësisë janë nga më problematikët sa i takon transparencës dhe llogaridhënies. Sipas të dhënave nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime me materiale që kishin lidhje me COVID-19 dhe 18% e totalit të kontratave ishin sekrete.
Në tenderët e sektorit të shëndetësisë gara ka rezultuar shumë e kufizuar. Nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021, sipas të dhënave të Open Data në 55.4 për qind të tenderëve kishte vetëm një operator pjesëmarrës në garë, 35 për qind kishin më shumë se dy operatorë në garë.