Autoritet shqiptare vihen në lëvizje kur vendet e BE raportojnë për mbetje pesticidesh në prodhimet shqiptare të eksportuara, por askush nuk kontrollon ato që futen në tregun tonë.
Në puntatën e kësaj të mërkure, Inside Story ka sjellë një investigim, lidhur me rrezikun e përdorimit të kimikateve të ndaluara apo mbi normat e lejuara.
Në një situatë të mjegullt prej 3 dekadash, me politika të gabuara dhe taksa që rrisin koston e prodhimit, fermeri shqiptar është lënë vetëm.
Afatet e përdorimit të pesticideve, edhe pse BE-ja i ndalon, ngrenë pikëpyetje se Shqipëria po kthehet në një magazinë të këtyre produkteve të ndaluara.
Një lojë e madhe bëhet me produktet që dalin nga përdorimi në BE dhe lihen për përdorim vetëm për tregun vendas. Ato shiten në farmacitë bujqësore edhe pasi u ka kaluar afati i përdorimit.
Një tjetër problematikë mbeten efektet që ndihen ende nga kontaminimi i tokës që në periudhën e komunizmit me pesticide të rrezikshme.
Dështimi me farat, laboratori shtetëror: Nuk kemi kapacitete për analizat gjenetike
Fermerët shprehin ankesa të shumta për cilësinë e farërave. Problemi thellohet kur ata detyrohen të përdorin plehra kimikë që nuk kanë lëndën aktive që shënojnë në etiketë, apo edhe të skaduara. Kjo, sjell dështimin e një sezoni.
Dy vite më parë, kjo familje harxhoi miliona lekë për ta mbjellë serën me speca, i cili dështoi. Bima u rrit e shëndetshme, por nuk formoi fruta duke e çuar dëm të gjithë investimin.
Pas ankesës për cilësinë e farës, institucionet i thanë se kjo është jë farë e regjistruar dhe analizuar që në vitin 2013.
Laboratori qendror pranon se nuk i kanë kapacitetet për të zhvilluar analizat e gjenetike, duke i lënë në mëshirë të fatit fermerët.
“Po të shkoni nëpër këto zyrat e bujqësisë në Bashki që të dërgonin një grup pune për fermerin por nuk ka asgjë. Ne kemi vajtur vetë si persona dhe përveç arrogancës nuk kemi marrë asnjë ndihmë, nuk kemi marrë edhe sot e kësaj dite dëmshpërblimin”, u shpreh Vali Mata, fermere.
Përdorimi i pesticideve për rritjen e prodhimit bujqësor është një ndër sfidat më të mëdha. Pavarësisht reformave dhe tentativave për të futur në hulli këtë sektor, ai vazhdon të funksionojë në amulli dhe pa kontroll.
“Për pllenimin e lules ne morëm bletë por tek plehrat nuk e di si do na dalin, ne punojmë e themi zoti në fund të na ndihmojë”, u shpreh Vali Mata.
Ngarkesat me pesticide, ALERT-i evropian zbulon dhjetëra raste nga Shqipëria
RASFF është një sistem alerti që ka ngritur komisioni europian për të gjithë produktet ushqimore që kapen në doganë me ngarkesa të ndryshme pesticidesh apo kimikatesh.
Flamuri shqiptar shfaqet disa herë në këtë regjistër, që do të thotë se produktet shqiptarë janë kapur me pesticide mbi normën e lejuar.
Në shkurt të vitit 2023 në një ngarkesë me lakër që po shkonte drejt Kroacisë u gjet me oxamil mbi normën e lejuar. Rasti u raportua nga Kroacia edhe pse në Shqipëri kaloi në heshtje dhe askush nuk u morr me çështjen.
Në mars 2023 u detektua prani e klor-pirifos, një substancë e ndaluar në lulen e margaritës.
Më tej, në muajin prill u kap sërish ndotje mbi normat në produktet shqiptare.
Qepët e njoma të pranverës, teksa ishin nisur për eksport rezultuan me nivel mbi normë me pesticidin dodinë.
Edhe specat rezultuan me pesticide mbi normë, dhe me produkte që kishin dalë jashtë përdorimit.
Mbetje pesticidesh u raportua edhe te domatet që shkuan për eksport.
Lulet e radhiqes po ashtu rezultuan me salmonelë dhe tejaklim të normave për disa lloj pesticidesh dhe ushqyesish.
Në dhjetor të vitit 2023, u raportua probleme me luleshtrydhen një prej frutave kryesore në listën e produkteve shqiptare që eksportohen.
Këto janë rastet e raportuara, kur janë kapur nga të huajt, ndërsa dyshohet se me dhjetra raste të tjera kapen nga vetë eksportuesit apo autoritetet shqiptare por nuk raportohet. Këto zbulime, tregojnë se ngarkesat që shpërndahen në tregun vendas, mbërrijnë në tryezat tona pa iu nënshtruar kontrolleve.
“Ne ia kemi besuar AKU. AKU hyn në lojë kur analizat në Gjermani dalin me ngarkesa mbi normën atëherë AKU hyn në lojë si kopfini pas të vjelit duke vënë ndonjë gjobë” u shpreh Eduart Sharaka, ekspert i politikave bujqësore
Kontradikta e shifrave, a u futën 1 mijë ton pesticide kontrabandë?
Loja me pesticidet po rëndon fermerët dhe konsumatorin. Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Instat në vendin tonë në vitin 2020 u futën 2 mijë ton pesticide me vlerë 1.3 mld lekë. Kjo shifër pësoi ulje gjatë viteve të pandemisë duke zbritur në 1800 ton pesticide në vitin 2021, 1450 ton në vitin 2022 dhe duke nisur një kurbë rritje në vitin 2023 përgjatë të cilit u importua 1600 ton pesticide.
Por të dhënat e raportuar nga FAO ngrenë pikëpyetje se ccfarë ndodh me pesticidet në tregun shqiptar.
Në vitin 2021, FAO Stat e cila i merr të dhënat direkt nga sistemi doganor, raportoi se në Shqipëri janë përdorur 756 ton pesticide, një shifër thuajse dy herë më e vogël se 1800 ton që raporton Instat.
Bëhet fjalë për një diferencë të pajustifikueshme prej gati 1 mijë ton, që ngre shumë pikëpyetje për përdorimin e pesticideve në vendin tonë.
Problemi fillon kur ato përdoren mbi normat e lejuara. Teprica shkakton dëme serioze. Bima asimilon sa mundet, aq sa ka nevojë dhe tepricën e shkarkon në tokë, nga toka e merr uji, nga uji përfundon në lumë apo në det.
Kjo tepricë e kimikateve që nuk përdoren nga bima, transferohen në produkte të tjera, tek prodhimet e detit, dhe nëse është hedhur tej mase e konsumojmë direkt.
“Ne helmohemi nga të dy anët: edhe nga produkti direkt, por edhe nga produkteve të tjera që kontaminohen për këtyre ndotësve”, u shpreh Abdulla Diku, ambientalist
Kontrolli i fermave, ekspertët: Certifikatat fitosanitare shpesh dalin nul
Në krye të kësaj piramide qëndron Ministria e Bujqësisë, që harton politikat përkatëse dhe poshtë saj janë disa institucione që kanë role të ndare.
Aktualisht, fermat nuk i kontrollon askush zyrtarisht për shkak të përplasjes së kompetencave. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, I cili ka qenë I vetmi institucion me këtë kompetencë nuk e ka kryer asnjëherë. Ndërkohë me ndryshimin e ligjit së fundi, kjo e drejtë për kontrollin e pesticideve në ferma iu njoh edhe Autoritetit Kombëtar i veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Por për këtë institucion nuk kanë dalë ende aktet nënligjore, dhe rrjedhimisht nuk ka marrë ende statusin e inspektoriarit. Si e tillë as ky institucion ligjërisht nuk futet dot në fermë për të kontrolluar.
Si pasojë e kësaj kakofonie nuk funksionojnë as strukturat lokale dhe rajonale. Rreth 300 agronomë të shpërndarë në Shqipëri, pjesë e shërbimit të këshillimit, nuk mbërrijnë dot tek fermerët.
‘Pesticid? Po ne këtu i marrim vetë moj. Ku ka këtu agronom moj, kush mban përgjegjësi këtu moj. Të japin një qese dhe thonë ik hidhja tokës dhe ne i hedhim’ u shpreh Fiqiri Sinani, fermer
Kur një produkt niset për eksport, është e detyueshme që të ketë me vete certifikatën fitosanitare, që tregon se prodhimi është i pastër nga dëmtuesit karantinorë. Por në shumicën e rasteve, ekspertët thonë se kjo certifikatë është nul.
‘Këtu në Shqipëri ka akoma çudira, agronomi firmos pa e ditur se ku është vjelë produkti dhe me çfarë është trajtuar. Tregtarët pasi marrin tek 20-30 fermerë mbushin një trajler, lajmërojnë agronomin që është caktuar nga Ministria e Bujqësisë, ai vjen dhe nuk e di as se i kujt është ai produkt as se çfarë ka brenda, as me çfarë është trajtuar por thjesht për procedurë e firmos qorrazi dhe pastaj kur bëjnë ato analizat del’ u shpreh Eduart Sharka, ekspert i politikave bujqësore
Paradoksi/ Ngarkesat me kimikate, analizat dalin pasi produkti përfundon në treg
Mungesa e gjurmimit të një produkti, që do të thotë se çfarë përdoret mbi to që në momentin që mbillet e derisa përfundon në treg, është konstatuar edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Paradoksi është se edhe në rastet kur AKU i dërgon për analiza mostrat, rezultatet dalin pas shumë kohe, kur produkti ka përfunduar në treg. Një fenomen i zbuluar edhe më herët nga “Inside Story” në një investigim të ngjashëm për antibiotikët e kafshëve.
‘Nëse analiza vjen më vonesë mund të ketë vetëm vlerë statistikore, por vlerë praktike nuk ka më. pra nëse një produkt ka arritur në treg dhe ka pasur problem atë efekt që ka pasur për ta kryer e ka kryer tashmë’ u shpreh Edmond Panariti, Ish-ministër i Bujqësisë
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se mungesa e mbështetjes ka sjellë kolaps në shërbimin fitosanitar. Kjo pasi Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, një laborator referencë, punon në kushte të kufizuara kapacitetesh financiare.
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë nuk ka përmbushur detyrimin ligjor dhe administrativ të ngarkuar me Urdhrin e Ministrit mbi planin e kontrollit për periudhën 2018-2020, në marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave brenda afatit 10 ditor.
Certifikata fitosanitare që lëshon ky institucion është dokumenti kyç që garanton cilësinë e produktit. Por ekpostuesit iu drejtohen laboratorëve privatë, pasi publiku nuk garanton të gjithë gamën e analizave.
‘Në Lushnje nuk ka një laborator të mirëfilltë, por shkojmë i bëjmë edhe atje janë shumë shtrenjtë, një kg speca kushton 300 euro. Jo ISUV nuk njihet i bëjmë tek NOVAL se vetëm ai njihet dhe bën shumë lloje pesticidesh’ u shpreh Nedrete Arapi, fermere
‘Laboratorët e AKU fatkeqësisht nuk kryejnë analiza për eksport dhe as nuk njihen. I vetmi është ISUV, i cili nuk i ka të gjitha i ka të akredituara megjithëse kryen një gamë të gjerë. Eksportuesit janë të detyruar të kryejnë analiza edhe në privat, pasi nuk i mjafton vetëm certifikata fitosanitare e lëshuar nga institucionet shtetërore si një letër e printuar me ngjyra. Por për shkak të kostove eksportuesit disa herë i bien shkurt’ u shpreh Granit Sokoli, ekspert/ siguria ushqimore
Humbjet nga ndalimi i OKSAMIL-it, fermerja: Më ktheyn kamionin me domate
Rasti i ngarkesës me “oksamil” ishte pjesërisht viktimë e kësaj skeme. Produkti ishte ndaluar në vendet e BE, por lejohej të përdorej në Shqipëri. Nedrete Arapi një ndër eksportueset më të mëdha në vend thotë se mungon zinxhiri i komunikimit mes fermerit dhe institucioneve përgjegjëse.
“Kur u ndalua në Europë në muajin maj, Oksamili tek ne erdhi në shtator, duhet të na kishte një paralajmërim edhe ne pikave të grumbuillimit që kini kujdes. Ka qenë në treg deri në shtator deri sa ai kolegu im humbi, pagoi 33 mijë euro për një maune’ u shpreh Nedrete Arapi, fermere
Në mungesë të funksionimit të hallkave, eksportuesja thotë se operojnë me njohje dhe marrin përsipër rrisqe që nuk u takojnë. Ajo, rrëfen një episod konkret për një sasi të madhe produkti të bllokuar.
‘Ne luajmë me rriskun këtu, duke pasur shumë fermerë, që dikush ka 2 ha ata janë më të besueshëm, por kanë edhe sera të vogla dhe pesticidet janë problem shumë i madh. Para dy vitesh mu kthye një kamion me domatina me një pestic që e kishte pasur karancën shumë të gjatë. Me Zotin jemi, mundohemi me forcat tona ta gjejmë ku është më e mira, mundohemi çfarë ka hedhur, agronomët t’i pyesim, vetë po e bëjmë më shumë këtë luftë’ u shpreh Nedrete Arapi, fermere
Qarkullimi i kimikateve të ndaluara prodhon pasoja për eksportuesit që u kthehen ngarkesat prapa. Por, ekspertët ngrenë alarmin se nuk ka asnjë të dhënë se çfarë ndodh me prodhimet që dalin në tregun shqiptar.