Rama takohet sot me shqiptarët në Athinë, qindra policë në gatishmëri për sigurinë

12 May 2024, 08:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama takohet sot me shqiptarët në Athinë, qindra policë
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama nis sot turin me diasporën nga Athina. Takimi pritet të nisë në orën 11:00 në kryeqytetin grek. Takimi i parë i turit ‘Krenar për Shqipërinë’ mbahet në stadiumin 'Galatsi', në sallën “Christmas Theater”.

Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në aeroportin ”Eleftheros Venizelos” rreth orës 09:00 dhe për mbarëvajtjen e këtij takimi janë marrë masa të rrepta sigurie me qindra punonjës policie. Rama do të jetë i shoqëruar me rreth 50 gazetarë, por dhe rreth 100 bashkëpunëtorë të tij ministra e deputetë.

Përpos fjalimeve, në stadiumin 'Galatsi' do ketë edhe spektakël, pasi për shqiptarët që do të bëhen pjesë e këtij takimi do të performojnë këngëtarët Era Rusi, Ylli Baka e Noizy.

Ministrja Elisa Spiropali dhe sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi do të mbajnë fjalime që do të pasohen nga fjala e kryeministrit Rama. Pas takimit, kryesocialisti do të ketë një takim me strukturat e degës së PS në Athin ku do të shpërndaje dhe kartat për anëtarët më të rinj të kësaj force në emigracion.

Qeveria greke pavarësisht rezervave për mbajtjen e këtij takimi përpara zgjedhjeve europiane të 9 qershorit, ka marre masa për mbarëvajtjen e tij.

Pas Athinës Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.

Kreu i qeverisë ka publikuar një video në rrjetet sociale pak momente më parë me moton “Krenar për ju”, ndërsa bashkëngjitur është flamuri shqiptar dhe ai grek.


Video