Qeveria vendosi mbylljen, Akademia e Studimeve Albanologjike: Nuk e njohim vendimin, është politik

31 May 2023, 14:08Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria vendosi mbylljen, Akademia e Studimeve Albanologjike: Nuk e njohim
Akademia e Studimeve Albanologjike

Akademia e Studimeve Albanologjike ka reaguar pas vendimit së qeverisë për riorganizimin e këtij insitucioni dhe kalimin në varësi të Akademisë së Shkencave.

Pas një mbledhje urgjente të mbajtur, ASA përmes një njoftimi zyrtar për mediat bën me dije se vendimi i qeverisë nuk do të njihet, pasi është një vendim politik i cili godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri si dhe është hartuar pa konsultime dhe transparencë.

Ata theksojnë se institucioni do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.

Reagimi i plotë:

AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

DEKLARATË PËR SHTYP

Tiranë, më 31 maj 2023

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur urgjentisht pas deklaratës publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, për miratimin e projektvendimit për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, shpall:

Është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave;

Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri;

Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë.

Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik.

ASA u shpreh mirënjohjen qindra mijra qytetarëve, institucioneve kërkimore shkencore brenda dhe jashtë vendit, partnerëve tanë, aktivistëve dhe mediave që i dhanë jehonë këtij akti të paprecedent dhe të ndërmarrë në limitin e kohës.


Video