Një operacion i madh anti-kanabis është realizuar nga policia në Spanjë dhe ka përfunduar me prangosjen e 8 shqiptarëve.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar në zonat Teruel dhe Tarragona ku janë zbuluar disa ferma për kultivimin e kanabisit.
Por gjatë aksionit, katër shqiptarë kanë arritur të arratisen, çka ka alarmuar autoritetet e të paktën pesë bashkive në këtë zonë. Ata kanë lëshuar një njoftim të pazakontë, duke shkaktuar edhe frikë te banorët.
“I kërkohet të gjithë popullatës të marrë masa paraprake ekstreme. Ndërsa kemi më shumë lajme do t’ju informojmë. Faleminderit për bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e një prej komunave pas arratisjes së shqiptarëve.
Megjithatë menjëherë pas kësaj, gazeta spanjolle “El Periodico Dearagon” shkruan se ka kontaktuar me disa zyrtarë, të cilët kanë shpjeguar se njoftimi është keqkuptuar.
Sipas tyre njoftimi nuk kishte për qëllim të përhapte panik, por të tregonte se në këto bashki po realizohet aksion për kapjen e shqiptarëve të arratisur dhe se situata është nën kontroll nga Garda Civile.