
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore – në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – ka njoftuar se janë pezulluar punimet në Burgun e Spaçit.
“Bazuar në Ligjin Nr. 27/2018 ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’, VKM nr.1125/2020 ‘Për miratimin e rregullave të projektimit, zbatimit të punimeve të ndërhyrjeve ruajtëse e mbrojtëse në pasuritë kulturore materiale, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të tyre’, si dhe në vijim të inspektimit në terren me qëllim verifikimin e punimeve në datë 02.06.2025, punimet janë pezulluar deri në një moment të dytë me qëllim vlerësimin në tërësi te situatës”, thuhet në njoftim.
Pezullimi i punimeve vjen pas protestave nga ish të përndjekurit politikë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Ata janë deklaruar kundër projektit të restaurimit të ndërmarrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Sipas tyre, ndërhyrja po shkatërron memorien dhe është përpjekje për të fshirë historinë e ish-Burgut të Spaçit.