
Meteorologu Hakil Osmani, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “7pa5” ka bërë një parashikim të motit për ditën e sotme dhe për fundjavën.
Osmani: Dita e sotme do të jetë nën dominimin e motit të qëndrueshëm, do të kemi kalime të lehta të vranësira, por nuk do të sjellin reshje. Temperaturat do të jenë relativisht të larta. Maksimumet do të regjistrohen në 19 gradë celcius në qytete bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda. Edhe në kryeqytet do të kemi temperatura 18 gradë.
E shtuna do të jetë në ndikimin e vranësirave më të shpeshta të fokusuara në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore duke krijuar mundësi për reshje të pakta. Shfaqja e flokëve të borës do të jetë vetëm në zonat malore. Dita e diel do të sjellë dominim të motit të qëndrueshëm, orë të gjata me diell dhe rritje të temperaturave të ajrit. Do të kemi temperatura deri në 23 gardë celcius, që nuk janë normale për periudhën ku jemi. Fundjava në pjesën më të madhe do të jetë në dominimin e motit të qëndrueshëm, intervaleve me diell dhe temperatura të larta.
Në orët e para të ditës së hënë do të kemi mot të qëndrueshëm por pasdite do të kemi prani të vranësirave dhe reshje. Dita e martë gjithashtu ka sinjale të ketë prezente reshjet e shiut dhe vranësirat. Reshjet e shiut do të sjellin edhe ulje të temperaturave.
A do kemi më breshër?
Osmani: Breshëri është një nga fenomenet më të vështira për tu parashikuar ndodh shpesh gjatë pranverës, kur kemi shpesh ndryshime të menjëhershme të temperaturave të ajrit. Breshëri pritet të jetë prezent herë pas here gjatë pranverës.