Nga 1 gushti krijohet ‘IdentiTek’/ Kush është 35-vjeçarja që do drejtojë kompaninë për prodhimin e pasaportave

12 Prill 2023, 10:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Loina Prifti është drejtuesja e re e cila do të jetë në krye të institucionit që do të prodhojë pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit.

Ky institucion nuk do të njihet më me emrin "Aleat", por "IdentiTek". Prifti pritet të marrë detyrën e re në datën 1 gusht, datë ku firmës private "Aleat" i përfundon kontrata për prodhimin e dokumenteve biometrike me shtetin shqiptar, të lidhur që në vitin 2008.

Një nga ndryshimet që kjo agjenci do të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat, por akoma nuk janë përcaktuar pasi janë në diskutim.

Sa i takon logjistikës dhe infrastrukturës mësohet se shoqëria aksionere "IdentiTek" do të mbajë të njëjtat zyra, pajisje dhe punonjës që ka deri më sot "Aleat", përfshirë edhe mbajtjen e lidhjeve me kompaninë "Idemia" në Francë.

Loina Prifti prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja aktualisht punon në Katedrën e  Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe merret me inteligjencën artificiale.

Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7,500 për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18,000 lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1,500 lekë.

Video