Ndërtimet pa leje/ Rama nxjerr pamjet nga Kepi i Rodonit dhe paralajmëron: Gati paketa, masa goditëse edhe për “symbyllurit” në inspektorate dhe polici

25 August 2025, 13:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndërtimet pa leje/ Rama nxjerr pamjet nga Kepi i Rodonit dhe
Aksioni për objektet e paligjshme shtrihet te Kepi i Rodonit

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se shembja e objekteve të paligjshme nuk është vetëm një aksion i përkohshëm, por një proces i vazhdueshëm që nuk do të ndalet derisa të eliminohet plotësisht ky fenomen.

Në një postim të publikuar në Facebook, , Rama thekson se ky proces do të shoqërohet në ditët në vijim me një paketë të re masash ligjore.

“Shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni, duke rritur forcën goditëse të ligjit mbi fajtorët dhe personat përgjegjës të nivele të ndryshme, përfshirë edhe ‘symbyllurit’ në inspektoriate, polici e me radhë”, shkruan Rama.

Këtë postim kryeministri e shoqëron edhe me një video nga një aksion që po kryhet sot në Kepin e Rodonit.

“Këto pamje janë nga operacioni i nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër mrekulli e natyrës është abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtime të paligjshme.”, shkruan ai.

Kryeministri Rama është shprehur i vendosur për të luftuar ndërtimet pa leje, ndërsa ka paralajmëruar edhe ndryshime në Ligjin për ndërtimet.


Video