Një shqiptari, i cili u dërgua në qendrën e largimit të imigracionit në Harmondsworth, pranë aeroportit Heathrow javën e kaluar, i është thënë se do përballet me dëbim të menjëhershëm, një ditë pasi Ministria e Brendshme njoftoi planet për të shpejtuar largimin e azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar.
Shqiptari, i cili kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar një dekadë më parë, nuk ka precedentë penalë, nuk është arratisur kurrë dhe thotë se ka respektuar vazhdimisht kërkesat e imigracionit duke raportuar çdo dy javë në Home Office. Dy fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar.
“Është sikur kam një gju në qafë, sikur po më mbysin”, ka thënë ai për The Guardian.
“Ata erdhën për të kontrolluar restorantin ku unë po ndihmoja, më shumë se 10 prej tyre, të gjithë të veshur me uniforma. Ata thanë se kishin një informacion se një punonjës i paligjshëm është këtu dhe filluan të pyesnin njerëzit për mua. Ata nuk më dhanë asnjë shpjegim, vetëm më çuan në stacionin e policisë, më mbajtën atje dhe më pas në qendrën e imigracionit. Më trajtojnë si kafshë”, ka treguar shqiptari nga qenda e largimit.
Burri, i cili po mbahet për akuzat e imigracionit pasi i janë shteruar të drejtat e tij për apelim, thotë se ka të drejtë për jetën familjare pasi fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar. Ai beson se Home Office po godet në mënyrë të padrejtë shqiptarët.
“I gjithë ky vend [Harmondsworth] është plot me shqiptarë. Duket sikur po na rrethojnë për të na futur në një fluturim charter nga këtu. Djali me të cilin po ndaj qelinë dhe gjysma e krahut tjetër janë shqiptarë. Më shkoi në mendje se kjo është një hakmarrje ndaj nesh. Duket se qeveria po gjen boshllëqe për të na nxjerrë jashtë. Të gjithë janë kaq të shqetësuar dhe të frikësuar, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne”, ka thënë ai.
Të enjten, Ministria e Brendshme britanike njoftoi një marrëveshje me qeverinë shqiptare, e cila synon të largojë azilkërkuesit e refuzuar “sa më shpejt të jetë e mundur” mes një rritje të numrit të mbërritjeve me varka të vogla nga Shqipëria.
Shifrat e fundit të publikuara nga Home Office tregojnë se 2,165 shqiptarë mbërritën në Britaninë e Madhe me varka të vogla në gjashtë muajt e parë të 2022, krahasuar me 23 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga të gjithë ata që hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kësaj rruge, më shumë se gjysma (51%) ishin nga tre kombësi, me shqiptarë dhe afganë secili që përbënte 18% të të ardhurve.
Zyra e Brendshme e Britanisë synon të pengojë ata që kërkojnë të kalojnë Kanalin duke lëshuar paralajmërime se ata nuk do të kenë të drejtë të jetojnë ose punojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mund të përballen me dënime me burg të shtuar për shkeljet e imigracionit.
Sipas Zyrës së Brendshme, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë” dhe shumë shtetas “po udhëtojnë nëpër vende të shumta për të bërë udhëtimin në Mbretërinë e Bashkuar” përpara se të bëjnë “kërkesa të rreme për azil kur të mbërrijnë”.