Gazi lotsjellës te Xhamia e Namazgjasë, KMSH: U lënduan besimtarët

21 February 2026, 13:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazi lotsjellës te Xhamia e Namazgjasë, KMSH: U lënduan
Molotovë dhe gaz lotsjellës te Xhamia e Namazgjasë

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar pas incidentit të ndodhur në protestën e opozitës ku në Xhaminë e Namazgjasë ra gaz lotsjellës.

KMSH-ja dënoi incidentin duke u shprehur se besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

Komuniteti Mysliman u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje në mënyrë që veprimet e tyre të mos cënojnë besimtarët ose qytetarët.

REAGIM ZYRTAR

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmëndje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.

Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.

Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.

U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.

Disa prej besimtarëve ndërprenë dhe lutjen mbrëmjen e djeshme për shkak të kaosit të shkaktuar në xhami. Molotovë u hodhën fare pranë xhamisë, pasuar më pas nga gazi lotjsellës me qëllim shpërndarjen e protestuesve.


Video