Disa javë pas zbulimit tepër të rëndësishëm arkeologjik në liqenin e Ohrit, mediet e huaja kanë raportuar për vendbanimin e lashtë shqiptar.
Euronews në versionin anglez dhe grek i kanë kushtuar një artikull të gjatë zbulimit të arkeologëve zviceranë në bashkëpunim me ata vendas.
"Në Ohër është zbuluar fshati më i vjetër i Europës buzë liqenit", raporton Euronews Greece, teksa përshkruan vendbanimin e rëndësishëm me palafite që daton mes 6000 dhe 5800 vite p.e.s.
"Është disa qindra vjet më i vjetër se vendet e njohura më parë të banimit të liqeneve në rajonet mesdhetare dhe alpine", tha Albert Hafner, një profesor i arkeologjisë nga Universiteti i Bernës i Zvicrës.
"Në dijeninë tonë, është më e vjetra në Evropë," tha ai për AFP.