Detaje të reja bëhen me dije në lidhje me sherrin fizik mes vëllezërve Bushgjokaj dhe Petrit Çakrrit, të akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, brenda ambienteve të GJKKO-së.
Tre vëllezërit Fatjon, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj kanë akuzuar Petrit Hoxhën (Çakrrin) se ka spiunuar dhe shpifur për ta.
Sherri ka nisur pasi seanca në Gjykatën e Posaçme ka filluar dhe vëllezërit Bushgjoka e kanë qëlluar me grushte dhe e kanë përplasur për muri Petrit Çakrin. Nga përplasja fizike janë dëmtuar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të burgjeve.
Kujtojmë që Renis Dobra u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, pasi fillimisht u mor peng tre vëllezërit në bashkëpunim me Çakrrin.
Trupi i tij u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë. Policia zbardhi vrasjen me pamje kamerash, të cilat i çuan te makinat me qira që grupi mori për disa ditë me radhë për kryerjen e krimit.